TIRANE

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas prishjes së dy godinave në zonën e Laprakës të cilat preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Veliaj ka falënderuar dy familjet që pranuan sipas tij të bashkëpunojnë dhe të lirojnë vetë objektet e ndërtuara pa leje duke i hapur rrugë projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Veliaj bën të ditur se të dyja këto familje pranuan që të pranojnë ofertën e Bashkisë së Tiranës për të marrë bonus qiraje deri në tre vjet dhe të lirojnë banesat që u prishën sot nga IMT-ja në afërsi të Doganës.

“Faleminderit 2 familjeve që vullnetarisht liruan ndërtesat pa leje pas bonusit të qerasë për t’i hapur rrugë Unazës!”, tha Veliaj.

Ndërkohë duke iu referuar rastit të tretë, atij të Bajram Nelajt, Veliaj thekson se ai është demonstrimi më i mirë i të gjithë atyre që duke përfituar nga mungesa e reagimit të institucioneve ka ndërtuar pa leje duke zaptuar prona të të tjerëve.

“Rasti 3 i zyrtarit të kthimit të pronave të PD që pasi vodhi pronë e ndërtoi pa leje 4 njësi për t’i dhënë me qera – shembull tipik i rrumpallës së fahrinjve”, shkruan Veliaj në Twitter.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb