TIRANE

Gjatë fjalës së tij në eventin ‘Për një Shqipëri pa kanabis’, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve për kultivimin e kanabisit.

Në event u prezantua raporti i policisë shqiptare dhe Guradia di Finanza për luftën ndaj kanabisit gjatë vitit 2018. Veliu u shpreh se ka pasur më pak prodhim të bimëve narkotike gjatë vitit 2018 dhe ka  rënie të trafikimit të drogës me 81% drejt shtetit italian në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria ka dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë vitit 2018 u angazhuan në një operacion të gjerë për goditjen që në gjenezë për trafikimin e kanabisit. Janë zhvilluar shumë takime sensibilueze dhe kontributin më të madh e dhanë institucionet e arrestimit.  Ndërtuam hartën dixhitale të sipërfaqeve ku ishin kultivuar bimë narkotike gjatë viteve. Një drejtim tjetër i punës sonë ishte forcimi i kapaciteteve për luftën kundër drogës dhe pajisjen me mjetet e nevojshme. 69 misione fluturimi.

Është bërë identifikimi i  grupeve kriminale. Në 2018 ka shënuar konkretizime të rëndësishme. Fushata e fluturimeve ka bërë të mundur 187 orë fluturimi, që prej datës 5 prill deri në tetor 2018 dhe analizën e 733 mijë hektarësh të territorit shqiptar. Përballë kësaj veprimtarie që është. është konfirmuar ulje e plantacioneve janë identifikuar vetëm 27, nga 88 që ishin në 2017. Kemi rënie të trafikimit të drogës me 81% drejt shtetit italian në krahasim me një vit më parë. Aktualisht po zbatojmë operacionin kundër bimëve narkotike për të cilin jemi ambiciozë. Përpara kemi disa sfida që kërkojnë impenjim maksimal”- tha Ardi Veliu.

Pjesë nga fjala e Ardi Veliut:

Gjatë vitit 2018 Policia e Shtetit, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit u angazhua në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, për identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim.

Që në muajin janar nisëm punën me identifikimin dhe analizimin e problematikave të evidentuara gjatë vitit 2017, hartimin e një plani masash të detajuar, duke u bazuar në pesë kolona kryesore:
1. E para në parandalimin e këtij fenomeni duke ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët.

Në kontrollin e pandërprerë të territorit duke goditur rastet e evidentuara që në gjenezë, pra që në momentet e para të tentativës për kultivim.

Në identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës.

Në bashkëpunimin me agjensitë ligjazbatuese brenda dhe jashtë vendit duke vënë theksin në Misionin e Monitorimit Ajror nga GdF, me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin Kombëtar të Veprimit.

Si dhe në kollonën e pestë atë të ndëshkimit të punonjësve të administratës dhe punonjësve të Policisë që do shpërdorojnë detyrën apo do bëhen palë me ata persona që do tentojnë të kultivojnë bimë narkotike.

I kushtuam rëndësi të veçantë në strategjinë tonë, përfshirjes së gjerë të publikut në procesin e informimit, nëpërmjet sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit, duke krijuar mundësi praktike për sigurimin e informacionit nga qytetarët”, – u shpreh fillimisht Veliu.

Duke vijuar më tej, Veliu shton: Në total për vitin 2018, Policia e Shtetit, në kontroll territori angazhoi 19.862 grupe kontrolli, ku janë kryer gjithsej 415.506 orë shërbimi.

Rezultatet e arritura gjatë vitit 2018 janë ndër më të mirat që nga fillimet e viteve 90.

• Evidentuam 263 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike.

• Janë implikuar 220 shtetas.
• Janë arrestuar e ndaluar 106 shtetas.
• Janë konstatuar janë asgjësuar 35.985 bimë narkotike.

E krahasuar me një vit më parë rezulton se janë:
• 30 raste kultivimi më pak,
• 30.942 bimë narkotike më pak,
• 9.689 fidanë/kubikë më pak.

Rezultat të ndjeshëm na dha puna efikase për parandalimin, identifikimi, zbulimi dhe goditja e grupeve kriminale të trafikimit të kanabisit dhe aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Pavarësisht nga sa shpreha më lart, do të ishte e pakuptimtë dhe puna e Policisë së Shtetit do të konsiderohej gjysmake nëse ajo nuk do t’i kushtonte të njëjtën vëmendje si goditjes së kultivimit të bimëve narkotike edhe fazave të tjera të veprimtarisë kriminale, goditjes së trafikimit të saj dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga kjo veprimtari.

Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 81%”.

Shembull i vendosmërisë së punës tonë, për plotësimin e detyrimeve të Planit Kombëtar të Veprimit në luftë ndaj kanabisit, pa shmangur asnjë aktor në këtë betejë, është procedimi penalisht i 43 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësisë administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor, roje ujësjellësi etj, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mos kallëzim krimi”.

Për Policinë e Shtetit është një sfidë e madhe viti 2019, pasi kemi përpara disa sfida të cilat kërkojnë impenjim maksimal, devotshmëri dhe profesionalizëm, për të bërë të mundur një sezon turistik me parametra optimale në fushën e rendit e sigurisë dhe ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve në funksion të stinës zgjedhore, etj”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb