Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti Drejtoren e Përgjithshme të Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), me qendër në Rumani. Palët diskutuan mbi nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të informacioneve, për një luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti. Drejtuesja e SELEC Snejana Maleeva, tha gjatë takimit se rezultatet e deritanishme kanë rritur besimin e partnerëve tek Policia e Shtetit.
“Të jeni të bindur që SELEC ju jep mbështetje të plotë, maksimale. Deri tani, ne kemi pasur rezultate shumë të mira. Jam e bindur që edhe në të ardhmen, sërish ju do të keni rezultate pozitive, me punën e devotshme dhe suportin tonë”, shtoi Maleeva.

Drejtori i Përgjithshëm Veliu, shprehu vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me të gjitha organizatat dhe policitë partnere, në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, nëpërmjet rritjes së koordinimit ndërinstitucional, zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve hetimore, shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare, është dhe mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, një nga objektivat e saj më strategjikë.

Jemi të vetëdijshëm se vetëm nëpërmjet vendosjes dhe ndërtimit të urave efektive të bashkëpunimit e koordinimit ndërkombëtar, do të mund të bashkojmë përpjekjet tona, për të arritur misionin tonë të rëndësishëm, për të parandaluar krimin dhe ofruar një mjedis të sigurt, për të jetuar e punuar për të gjithë qytetarët tanë”, pohoi Veliu. Drejtorja e SELEC-ut i dorëzoi Policisë së Shtetit dy Certifikata Nderi, për finalizimin e dy operacioneve “Koordinimi” dhe “Alias”, të vlerësuara si më të mirat gjatë 2017-ës, për vendet e Europës Juglindore, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
27721497_393316597760849_457221872_n

27781646_393316587760850_1983594645_n

27783012_393316607760848_926683321_n

27783278_393316644427511_628285159_n

27849639_393316614427514_1980259165_n
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb