Motra dhe kunati i Bledi Angjos, një prej të arrestuarve për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço në Maliq kanë mohuar se ai ka lidhje me ngjarjen. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” në News24, motra Valbona deklaroi pas intervistë së vajzës 18-vjeçare se vëllai i saj Bledi nuk ka pasur lidhje dashurore me të.

Kunati deklaroi se Bledi nuk di të shkruajë, as të numërojë dhe as të formojë numra në telefon dhe është i pafajshëm.

26-vjeçari Martin Çeço u mbyt me litar dhe u hodh në rezervuar. Policia arrestoi për vrasjen Valter Mollaj, Idlir Mollaj dhe Bledi Angjo.

Valbona: Nuk e besoj, është e pabesueshme kjo gjë që e akuzojnë vëllain tim. Ka 45 ditë që vëllai im ishte çoban me bagëti te Valter Mollën. E merrja përditë në telefon vëllain, 2 herë në ditë sa dëgjoheshin këmborët e bagëtive. Telefonata e fundit atë ditë që e kishin marrë. Lidhjen dashurore nuk e besoj asnjëherë. E mohoj kategorikisht lidhjen mes Bledit dhe asaj.

Kunati: Që mund ta ketë njohur si çoban aq është fshati, por që të ketë pasur lidhje është e pabesueshme. Unë nuk e besoj.

Evis Ahmeti : Familjarët e viktimës thonë se ka pasur lidhje me viktimës vajza dhe atë natë vajza i kishte kaluar në telefon një zë burri.

Kunati: E kanë marrë ata me makinë, e kanë ngritur nga gjumi dhe shkuan në Kolanec. Bledi nuk ka makinë. Makina është e Valterit, Bledi vetëm kërrabën ka. E ka pohuar vetë Bledi në prokurori. Nuk i kanë thënë se ku do shkonin.

Ne e morëm vesh nga media çfarë kishte ndodhur. Kunati im njihej vetëm me Valterin dhe Idlirin. Nuk kishte asnjë lidhje me Martinin, ne na vjen keq, por jemi të pafajshëm.

Ai shkonte në mëngjes me bagëti dhe vinte në darkë. Bledi ishte punësuar nga Valteri. Nga logjika e di, Bledi nuk di as të shkruajë, as të lexojë, as të formojë numra. Është analfabet me të gjitha parametrat Valter Molla e ka përdorur si karrem.

Vrasja e 26- vjeçarit Martin Çeço tronditi opinionin publik, për mënyrën sesi ky shtetas u ekzekutua dhe për motivet të cilat shtynë autorët të kryejnë këtë krim monstruoz.
Sipas burimeve nga policia, pak minuta para se të vinte mesnata, në datën 12 qershor, Martini u njoftua për të dalë nga banesa, pasi dikush kishte shkuar për ta takuar atë. Me rrobat e shtëpisë dhe shapka, ai menjëherë del nga banesa. Aty pritej nga Valter Mollaj, nga kushëriri i tij Edlir Mollaj si dhe nga çobani i punësuar Bledi Angjo. Martini hyri brenda makinës së Valterit duke u larguar përfundimisht nga banesa. Mjeti i drejtuar në brendësi të fshatit, drejt vendit të njohur si rezervuari i Kolanecit, po transportonte 4 personat. Nga varianti paraprak i prokurorisë ishte Edlir Mollaj ai i cili po drejtonte mjetin tip fuoristradë, në një terren tepër të vështirë dhe të rrezikshëm. Sipas deklaratës së dhënë nga Bledi Angjo, pas arrestimit të tij dhe dy kushërinjve ku ai punonte, ai deklaroi se vrasjen me litar e kreu Valter Mollaj, personi i cili gjatë gjithë kohës e kërcënonte 26 vjeçarin, për të ndërprerë lidhjen e tij me 18-vjeçaren. Akti fatal sipas informacioneve të dhëna nga avokati i Bledi Angjos, është kryer pranë rezervuarit ku më pas hodhën trupin e pajetë në këtë rezervuar për ta montuar si ngjarje aksidentale ose vetëvrasje. Prokuroria gjatë mbledhjes së provave, konstatoi prezencën e litarëve në automjetin në pronësi të Valter Mollës, që sipas tij ato lidheshin me punën që ky i fundit bënte.
Të pandehurit akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim me paramendim, ku për ta u dha dhe masa e sigurisë arrest me burg në datën 20 Qershor 2022 nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: