TIRANË- Ndonëse zakonisht jemi mësuar të shohim gra dhe drama familjare, sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur historia e dy burrave nga Mallakastra të arrestuar për posedim dhe shpërndarje droge, sipas familjes pa të drejtë.

Artur Kapllani dhe Luftar Xhafa kanë afërsisht dy vite që ndodhen në burg me një akuzë që nuk e pranojnë kurrë.

Gjithçka ndodhi mbrëmjen e 2 tetorit 2016, teksa Arturi ishte nisur për peshkim së bashku me mikun e tij Xhafa në zonën e Uzinës së Ballshit.
Nuk kaloi shumë kohë nga momenti që ata mbërritën dhe një furgon policie i qytetit të Fierit i ka ndaluar duke i arrestuar në vend, si dhe ka përdorur dhunë ndaj tyre.

Makina e Arturit është bllokuar nga policia dhe ata përfunduan në rajon dhe më pas masa e arrestit ishte me burg. Por për çfarë u akuzuan? Për shpërndarje të hashashit pasi sipas policisë janë gjetur 6 thasë me hashash.

Të afërmit thonë se të dy ishin familjarë të rregullt dhe merreshin me punë të ndershme në qytetin e tyre të Ballshit, ku gëzojnë respektin e gjithë qytetit.

ARRESTOHET-PER-DROGE-ZEMRA-E-HAPUR

Më e keqja është se Luftar Xhafës i ndërroi jetë bashkëshortja dy javë pas arrestimit dhe fëmijët e tij janë në mëshirë të fatit, jetojnë vetëm me gjyshin.

Shkalla e parë i ka dënuar me 7 vite burg të dy. Ekzistojnë dy proces verbale të policisë, pa lidhje me njëra-tjetrën, ku është shkruar se janë kapur 6 thasë me hashash në makinën e Arturit.
Ndërkohë asnjë shenjë gishtash nuk është zbuluar deri tani nga të dy të akuzuarit. Janë gjetur 6 shenja të ndryshme gishtash dhe asnjëra nuk i përket këtyre të dyve.

Në studio sot ka qenë i pranishëm vëllai i Arturit, Shyqyri Kapllani, ish-kandidat i ASHE për kryetar Bashkie në Mallakastër, që ka bërë apel për drejtësi.

Ai thotë se vëllai i tij u bë kokë turku nga policia e Fierit, e cila në ato vite kishte qëllim të kishte një performancë të shkëlqyer, ku ndërmerrnin aksione kundër kanabisit.

Shyqyri Kapllani ngre dyshime nëse këto aksione ishin reale, ndërsa thotë se njerëz të pafajshëm janë në burg kurse kokat e drogës ende vazhdojnë të jenë jashtë hekurave.

“Policia nuk shkruan që në makine kishte mjete peshkimi. Unë kam filmuar gjithçka që në makinë janë gjetur mjetet e peshkimit dhe të dy ishin atë mbrëmje për peshkim pasi ishte një ndër hobet e tyre. Prokurorja ka thënë se në makinë s’ka pasur mjete peshkimi, kur çdo gjë ishte e filmuar.
Edhe Apeli pa asnjë fakt la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, tashmë çështja ka kaluar në Gjykatën e Lartë.
Akuzoj për neglizhencë të hetimeve me përmasa të rënda prokuroren. I kam kërkuar 2-3 herë takim zonjës Ervis Hyka sepse kam disa gjëra që ajo duhet t’i dijë. Më kthe përgjigje nëpërmjet sekretares nuk pres njeri. Edhe kur e prita më foli me prepotencë, më tha që nuk pres njëri dhe nuk kam nevojë të dëgjoj çfarë thua ti.
Policia e di shumë mirë se kush i la thasët me kanabis. Por duke mos pasur personat përgjegjës ua ngarkoi këtyre”, tregoi Kapllani, raporton “BalkanWeb”.

Ai rrëfeu edhe bisedën me një avokat.
“Një avokat më tha përgatit 10-15 mijë euro se nuk del vëllai jot. I thashë si ore, më tha qenke budalla, qenke idealist. I thashë ca thua, unë nuk kam 10 mijë euro, vëllai im është i pafajshëm, më tha nuk del vëllai pra. I doli fjala atij. Asnjë oficer i policisë nuk ka dhënë dëshmi, vetëm një OPGJ. Kam shpresë se drejtësia vonon por nuk harron”, u shpreh Kapllani duke hedhur akuza ndaj gjykatës në Fier dhe Prokurorisë, pasi sipas tij nuk ka pasur prova për arrestimin dhe burgosjen e vëllait të tij dhe shokut.

Dy të dënuarit Artur Kapllani dhe Luftar Xhafa në çdo moment kanë kërkuar pafajësi dhe janë të betuar se do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb