Nga: AGRON LISI*
KURBIN- Vëllai im Armando nuk ka qenë i pranishëm në konfliktin që ka ndodhur para policisë. Ky fakt vërtetohet lehtësisht edhe duke parë kamerat e komisariatit të policisë dhe lokalit që është përballë”. Kështu deklaroi Arben Prenga, vëllai i deputetit Armando Prenga, i cili u arrestua dy ditë më parë pas një konflikti me armë zjarri në Laç, ku mbetën të plagosur 7 persona. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, Prenga pohoi se ka qenë Gjok Cali, së bashku me familjarë të tij, ai që i ka zënë pritë me kallashnikov vëllait të tij, ndërsa e ka kërcënuar atë me jetë për të hequr dorë nga tenderi për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut për peshkim. Teksa u ndal te deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha, Prenga i cilësoi si shpifje dhe të pavërteta akuzat ndaj vëllait të tij.
Si e mësuat ngjarjen?
Ngjarjen e kam mësuar pasi ka ndodhur konflikti, kur vëllai im Eduardi dhe Gazmir Jushi ishin dërguar në spitalin e Kurbinit. Kam qenë në gjumë kur më kanë lajmëruar dhe jam nisur menjëherë te spitali.
Keni pasur më parë ndonjë përplasje apo konflikt me familjen Cali?
Jo, asnjëherë nuk kemi pasur konflikt me ta. Kur vëllai im fitoi tenderin për shfrytëzimin e Lagunës në Patok, ne u habitëm me reagimet mediatike të familjes Cali, duke akuzuar madje edhe vëllain tim, i cili ishte deputet, me pretendimin se ka ndërhyrë ai, gjë e cila nuk është e vërtetë. Vëllai im e ka fituar ndershmërisht tenderin.
Çfarë ndodhi pasi shkuat në spital?
Vëllai im Armando kishte qenë duke u kthyer nga lokali i vëllait tim për në Laç. Gjon Cali së bashku me të afërmit e tij, i kanë zënë rrugën, anash lokalit të tyre, në rrugën që lidh Patokun me Laçin. Sipas Armandos, Gjoni ka qenë i armatosur me kallashnikov dhe kjo e ka bërë Armandon të frenojë. Pasi ka ndaluar makinën, kanë debatuar, ku familjarët e familjes Cali e kanë kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk heq dorë nga laguna e Patokut. Situata është nxehur e, duke parë se ka qenë i vetëm, Armandoja ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar vetëm një herë në ajër. Më pas është larguar prej aty dhe ka lajmëruar Eduardin, ndërsa i ka thanë të shkonte në polici të bënte denoncim.
Kush do e bënte denoncimin në policinë e Kurbinit?
Vëllai im Eduardi, e më pas do shkonte vetë Armando.
Në momentin që ka ndodhur konflikti në komisariat, ku ka qenë vëllai juaj Armando?
Vëllai im nuk ka qenë i pranishëm në konfliktin që ka ndodhur para policisë. Ky fakt vërtetohet lehtësisht edhe duke parë kamerat e komisariatit të policisë dhe lokalit që është përballë. Aty kanë shkuar Eduardi dhe Gazmir Jushi. Unë ftoj organet e prokurorisë të zbardhin realisht ngjarjen.
Policia pohoi se vëllain tuaj e ka arrestuar në flagrancë?
Për çfarë flagrance bëhet fjalë kur ai është arrestuar në spitalin e Traumës?! Ai ka qenë i pranishëm për t’u kujdesur për Eduardin dhe Gazmir Jushin.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se në ngjarje është përfshirë Armando dhe se gjithçka ka ndodhur në komisariat…
Ka kohë që Lulzim Basha ka nisur të jetë i shthurur në deklarimet e tij ndaj vëllait tim, të cilat ne i kemi parë thjesht si deklarata politike. Kur ne ishim me PD–në, Basha nuk ishte as anëtar i saj dhe as ka lidhje me këtë forcë politike. Ai është aksidentalisht aty, por flet kështu sepse ka një hall të madh. Pas humbjes së tenderit nga ana e familjes Cali, nuk i ka dërguar kush peshk atij, as drejtorëve të tij dhe as paraardhësve të tij. Ky është problem më i madh i Bashës, dhe jo ngjarja e Laçit.
Pas ngjarjes, PS–ja e largoi Armandon nga grupi parlamentar i kësaj force; si e gjykoni këtë gjest të mazhorancës?
Një reagim aspak i drejtë, pasi ata duhej të prisnin zbulimin e së vërtetës dhe më pas të reagonin. Por qëndrimin e partisë që Armando përfaqësonte e quaj një nxitim të madh dhe koha do e tregojë se Armando është i pafajshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: