Një nga vëllezërit e afrikano-amerikanit George Floyd, i cili ka vdekur gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara, kërkoi nga Kongresi amerikan që “të ndalojë dhimbjen” e njerëzve me ngjyrë, të shkaktuar nga dhuna e policisë.

Vdekja e Floydit më 25 maj ka shkaktuar protesta globale kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë.

Philonise Floyd foli të mërkurën para Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

“Jam këtu për t’ju kërkuar që ta ndaloni. Ndaloni dhimbjen”, tha Philonise Floyd.

“George ka kërkuar ndihmë dhe është injoruar. Ju lutem dëgjojeni thirrjen që po e bëj tani, thirrjen e familjes sonë dhe thirrjet nga rrugët e botës”, tha ai.

George Floyd është ndaluar nga policia nën dyshimet se ka krijuar një faturë të rreme në vlerë prej 20 dollarësh.

Ai ka vdekur pasi një oficer i bardhë i policisë e ka shtypur me gju në pjesën e prapme të kokës.

Incidenti është filmuar nga kalimtarët dhe është shpërndarë në internet.

Këtë javë, kryetari i Komitetit për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, ka thënë se “për çdo incident nga forca e tepërt që përbën tituj, e vërteta e shëmtuar është se ka të tjerë të panumërt për të cilët nuk dëgjojmë kurrë.”

“Ky është një problem sistematik që kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb