KOSOVË- Rreth 17 vite pas vrasjes, familjarët e kolonelit kosovar, ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi zbulojnë detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në vitin 1998 në Tiranë. Vëllai i Ahmetit, Behxhet Krasniqi thotë se vrasësit e tij janë pjesë e politikës në Tiranë e Prishtinë.

Behxhet Krasniqi nuk ka dashur të flasë me emra dhe nuk i ka thënë detyrat e tyre, por ka konfirmuar për Botapress, se ata që urdhëruan vrasjen e vëllait dhe që janë pjesë e kësaj vrasje makabre sot janë në dy pushtetet e shteteve tona.

“Unë mendoj se ata që urdhëruan vrasjen e vëllait tim e të ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit janë sot në skenën politike të Shqipërisë e Kosovës. Ata i takojnë niveleve të ndryshme të hierarkisë së këtyre pushteteve, por po e them, unë si vëlla i kolonelit, dyshoj se këta persona janë sot në pushtet edhe në Tiranë dhe në Prishtinë”, është shprehur Behxhet Krasniqi për Botapress.

Ai ka shfaqur bindjen se kryeministri Isa Mustafa do ta mbajë premtimin dhe se eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit së shpejti do të kthehen në Kosovë dhe do të rivarrosen me ceremoni të lartë shtetërore.
Kolonel Ahmet Krasniqi, u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë, në 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: