Nga: JETON SELIMI*
TIRANE – Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Prishtinë pak pas orës 17:00, ku është pritur në mënyrë madhështore nga tifogrupi “Plisat” dhe një numër tifozësh, pranë hotelit ku ata do të qëndrojnë. Me nismën e “Plisave” dhe me mbështetjen e komunës së Prishtinës, e cila ka sponsorizuar 5 mijë flamuj kombëtarë, me ngjyrat kuq e zi dhe me shqiponjën dykrenare, kryeqyteti i Kosovës u stolis më së miri për të pritur Kombëtaren e të gjithë shqiptarëve në këtë ndeshje vëllazërore kundër Kosovës.

Prishtina është veshur kuqezi dhe gjithçka është gati për këtë ndeshje, që pritet të dhurojë emocione të shumta jo vetëm në fushën e blertë të stadiumit kryeqytetas, por edhe në festën që do të mbretërojë të premten në të gjitha rrugët. Kuqezinjtë e De Biazit janë sistemuar në një nga hotelet luksoze të Prishtinës, ndërsa dje në mbrëmje kanë zhvilluar edhe seancën ambientuese me stadiumin.

Cana
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, me të arritur në kryeqendrën e Kosovës, tha se është i lumtur që nesër do të zbresë në stadiumin e Prishtinës, duke shtuar se ky stadium është i lidhur me të dhe familjen e tij, sepse edhe babai i tij, Agim Cana, ka qenë lojtar i Prishtinës.

“Jam krenar që jam në një vend dhe në një stadium me një histori të ngushtë, ku unë kam debutuar dhe ku babai im ka qenë pjesë e ekipit që i përket ky stadium. Shto këtu, në një moment kur Kombëtarja jonë ka arritur një sukses dhe i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët me kualifikimin në Europianin e Francës. Pritja ka qenë shumë e mirë nga çdo person që kemi takuar, çdo makinë na kanë përshëndetur dhe të gjithë njerëzit, ashtu si dhe ‘Plisat’, ndaj dhe ishte vërtet një pritje fantastike”, është shprehur Cana para mediave në Prishtinë.

Interesimi
Interesimi i qytetarëve kosovarë për vëllazëroren Kosovë-Shqipëri është parë menjëherë mëngjesin e së enjtes, kur biletat dolën në shitje. Në pikat e shitjes janë krijuar radhë për të siguruar biletën e kësaj ndeshjeje, e cila në Kosovë po cilësohet si festive. Qytetarët presin lojë të hapur dhe mundësinë për të parë nivelin e përfaqësueses së Kosovës.

“Për mendimin tim, duhet të zhvillohet futboll i hapur, pa kalkulime, pasi nuk bëhet fjalë për pikë”, thotë një qytetar për “Top Channel”. “Plisat” po ashtu kanë bërë thirrje që tribuna jugore e stadiumit të Prishtinës, ku do të zhvillohet ndeshja, të jetë e gjitha kuq e zi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb