Shumë vende europiane njoftuan sot pezullimin e udhëtimeve nga Britania e Madhe për shkak të variantit të ri të COVID-19 të zbuluar në këtë vend.

Ky vendim vjen një ditë pas njoftimit nga kryeministri britanik Boris Johnson për një ribllokim të Londrës, Anglisë juglindore dhe një pjese të lindjes, pas zbulimit të këtij varianti të ri të virusit në këto zona.

Holanda

Qeveria holandeze pezulloi të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga BM në 06:00 me orën lokale (05:00 GMT) deri më 1 janar pas zbulimit në vend të një rasti infektimi me variantin e COVID-19 që qarkullon në një pjesë të territorit britanik.

Belgjika

Belgjika, nga ana e saj, do të nisë pezullimin e fluturimeve dhe udhëtimeve me tren nga BM duke filluar nga mesnata e së dielës (23:00 GMT).

Gjermania

Gjermania do të ndalojë pothuajse të gjitha fluturimet nga BM nga mesnata, sipas një urdhri nga Ministria e Transportit, me përjashtime për avionët e ngarkesave.

Ministria e Brendshme, gjithashtu, ka urdhëruar policinë federale, duke filluar menjëherë, të nisë kontrollimin sistematik të udhëtarëve nga BM dhe Afrika e Jugut.

Italia

“Britania e Madhe ka nisur një alarm në lidhje me një formë të re të COVID-19 që është rezultat i një mutacioni të virusit”, tha ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, ndërsa njoftoi pezullimin e fluturimeve me BM.

“Si qeveri, detyra jonë është të mbrojmë italianët, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook, pa specifikuar kur kjo masë do të hynte në fuqi.

Sipas kanalit të lajmeve “Sky TG-24”, fluturimet për në BM janë bllokuar tashmë në Fiumicino, aeroporti kryesor i Romës.

Spanja

Spanja i kërkoi Brukselit një përgjigje të koordinuar nga BE në lidhje me pezullimin e fluturimeve nga BM.

“Qëllimi është të mbrohen të drejtat e qytetarëve europianë përmes koordinimit dhe shmangies së masave të njëanshme”, tha qeveria spanjolle në një deklaratë.

Franca

Franca do të pezullojë nga sot në mesnatë (23:00 GMT) të gjitha udhëtimet e njerëzve, përfshirë transportin e mallrave, në rrugë tokësore, ajrore, detare ose hekurudhore, nga Britania e Madhe, me përjashtim të mallrave të pashoqëruara, sipas deklaratës së qeverisë franceze.

Irlanda

Irlanda do të pezullojë lidhjet ajrore me BM për të paktën 48 orë nga mesnata e sotme, njoftoi qeveria irlandeze në një deklaratë, duke specifikuar se kjo masë do të rivlerësohet të martën.

Edhe lidhjet detare do të vazhdojnë të kontrollohen.

Norvegjia

Norvegjia do t’u kërkojë udhëtarëve që mbërrijnë nga BM të paraqesin një test negativ COVID-19 për hyrjen në vend, sipas një deklarate të bërë nga Drejtoria e Shëndetit Publik.

Gjithashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencia Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u bënë thirrje anëtarëve të tyre në Europë të forcojnë kontrollet e tyre për të luftuar përhapjen e variantit të ri.

“Në të gjithë Europën, ku transmetimi është i lartë dhe i përhapur, vendet duhet të forcojnë procedurat e tyre të kontrollit dhe parandalimit”, paralajmëroi një zëdhënës i OBSH-së në Europë.

“Personat me një lidhje epidemologjike me rastet që mbartin variantin e ri ose që kanë udhëtuar në zonat e infektuara duhet të identifikohen menjëherë”, tha ECDC, duke bërë thirrje për testimin, izolimin dhe monitorimin e kontakteve të tyre.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb