Disa udhëheqës të vendeve të BE-së i kërkuan Komisionit Europian të parandalojë ngecjet në furnizimin e vaksinave të ardhshme antiCOVID-19, pas një mosmarrëveshje të tensionuar midis Bllokut dhe kompanisë farmaceutike “AstraZeneca”.

Në një letër drejtuar kreut të Komisionit, Ursula von der Leyen, udhëheqësit e Austrisë, Republikës Çeke, Danimarkës dhe Greqisë thanë se vaksina e zhvilluar nga Johnson & Johnson dukej premtuese për shkak të magazinimit dhe transportit më të lehtë, por e prirur për të paraqitur pengesa të mundshme në furnizimin e vendeve të BE-së.

“Jemi informuar për faktin se vaksina “Johnson & Johnson” me sa duket duhet të dërgohet në SHBA për mbushje dhe përfundim”, thanë politikanët.

“Nëse kjo mund të rrezikojë qasjen e BE-së në vaksina, ne duhet të konsiderojmë adresimin e çështjes tani, me synimin për të gjetur zgjidhje me kompaninë, në mënyrë që të mbrojmë furnizimin europian”, shtuan ata.

Muajin e kaluar KE u përfshi në një mosmarrëveshje të ashpër me “AstraZeneca”, që nuk mundi të shpërndante dozat e premtuara sipas skedulës, duke këmbëngulur në detyrimet kontraktuale të kompanisë.

Sipas politikanëve, për të parandaluar një gjë të tillë në të ardhmen, BE duhet të hyjë në dialog të hershëm me kompaninë.

Ajo, gjithashtu, duhet të shpejtojë negociatat me kandidatët e tjerë të vaksinave, të tilla si “Valneva” ose “Novavax”.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb