Samba” është kërcimi më i famshëm i brazilianëve, që në fakt nuk ka asnjë lidhje me vallen e Rugovës, e cila është edhe më popullorja në Kosovë. Një miks mes të dyjave do të ishte gati i pamundur për çdo artist apo balerin, por jo në futboll. Dhe aq më pak në Shqipëri ku ndodhin nga të gjitha…

Superiorja këtë sezon po popullohet me një shpejtësi të frikshme nga brazilianë dhe kosovarë që kanë vetëm një të përbashkët: futbollin e bukur. Por, a do të përshtaten ata mirë dhe shpejt me ambientin në Shqipëri? Kjo mbetet për t’u parë. Më së shumti ky është një problem ekskluziv i trajnerëve dhe i presidentëve. Deri tani kosovarët nuk kanë zhgënjyer, ndërsa brazilianët në shumicën e kohës i ka shpëtuar teknika e lartë.

Por sot që po flasim ata janë shndërruar në “karburantin” kryesor për kampionatin tonë, të paktën për objektivat që kanë klubet për të mbushur boshllëqet dhe për të përmirësuar kontingjentin që kanë. Kur kanë kaluar vetëm 8 ditë nga muaji janar, 7 brazilianë janë pranë marrëveshjes me ekipet shqiptare.
Pjesa dërrmuese e tyre kanë mbyllur kontratat zyrtarisht, ndërsa të tjerë janë shumë pranë firmës. Trendi ka ndryshuar në mënyrë radikale, kjo krahasuar me sezonet e fundit, ku përgjithësisht prurjet vinin nga vendet e lindjes apo ato sllave.

“Samba” është kthyer në “modë” në Superiore dhe të mendosh që ky është vetëm fillimi, pasi kur duhen edhe 23 ditë nga mbyllja zyrtare e merkatos, të tjerë ndoshta priten. Mungesa e prodhimit vendës nga akademitë ka bërë që vëmendja e klubeve shqiptare për të gjetur “golat” të përqendrohet pikërisht në Brazil. Tirana është pranë firmës me dy brazilianë.

Pritet që sot të mbyllen marrëveshjet me Hugo Almeidën dhe Aleks Uillian, i pari “pykë” dhe i dyti fantazist. Ndërsa Flamurtari e nisi merkaton pikërisht me “samba”. Ata pak ditë më parë zyrtarizuan afrimin e Danilo Alvesh dhe Lukas Matos Martins. Edhe të kuqtë kanë vijuar me të njëjtën “mani”. Në fokusin e tyre është ish-mesfushori i Romës, Filipe Gomez. Sakaq, edhe Skënderbeu me Kukësin nuk kanë mbetur pas, teksa dje kanë zyrtarizuar përkatësisht Renato Karlos Martins Xhunior dhe Uilliam Gomez Vital Da Silva./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: