Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 u trajtua ngjarja e rëndë e familjes Dashi e cila në 17 gusht humbi vajzën 32 vjeçe.
Kishte vetëm 10 mijë lekë të vjetra në xhep, po ecte në këmbë. Kishte ikur 15 minuta para orës zyrtare të punës. Diçka e kishte shqetësuar, një telefonatë që i prishi ditën.

Doralda, një vajzë e brishtë që jeta e kishte vënë para dhunës së njeriut që dashuronte. U dhunua dhe u keqtrajtua në mënyrë çnjerëzore, aq sa nga kjo dhunë humbi edhe fëmijën të cilin mezi e priste. Sikur të mos mjaftonte kjo Doralda në 17 gusht të këtij viti u gjet e vdekur në zonën e liqenit artificial, e varur në pemë. Komunikata e policisë citon: “Rreth zonës së Liqenit Artificial është gjetur e vetvarur në një pemë shtetasja A.D., 32 vjeçe. Nga deklarimet paraprake dyshohet se shtetësja A.D. vuante nga çrregullimet e ankthit.

Por prindërit e së ndjerës që nga momenti që morën lajmin e vdekjes së vajzës së tyre të vetme, nuk e kanë besuar kurrë një gjë të tillë, por kanë akuzuar menjëherë për këtë “vrasje” ish-bashkëjetuesin e saj, pasi ata pohojnë se e ka dhunuar sistematikisht edhe pse kishin shkëputur marrëdhëniet me njëri tjetrin, ai sërish e kërcënonte se do ta vriste dhe se vdekja e saj do të ishte varja në pemë. Por pse kjo ngjarje u citua si vetëvrasje dhe pse prindërit e Doraldës nuk gjetën kurrë paqen për vajzën e tyre, kjo është një dilemë që sot ata ja kërkojnë drejtësisë. Kush e vrau Doraldën, kush e mori në telefon atë ditë, ku po shkonte Doralda 15 minuta para se të mbaronte punën, cili ishte personi i cili e priste, pse u zhdukën provat dhe vendi i ngjarjes? Babai i saj hedh dyshime tek ish-dhëndri dhe akuzon policinë madje për shkatërrim të provave.

“Unë mora një telefonatë nga bashkëshortja e cila më tha se hajde se vajza ka bërë aksident me makinë se ashtu i kishin thënë. Shkova menjëherë sepse gruaja e merrte te telefoni i saj vajzën dhe e hapi oficeri policisë gjyqësore i cili i tha ejani se vajza ka bërë aksident, kur vajtëm kunati im më tha bëhu i fortë. Takimi fundit me mua ka qenë një natë më parë kur më pohoi se kishte rënë nga pesha se bënte vrap nga liqeni. Ai e ka dhunuar vajzën tonë gjatë martesës saqë ajo humbi fëmijën pasi ishte shtatzënë. Ajo jetoi me të rreth 2 vjet e gjashtë muaj, pasi vajza shkoi në atë shtëpi ai nuk bëri celebrim, ata justifikoheshin. Vajzës i bëmë dasmë dhe ai bëri dasmë. Vajza ime mbeti shtatzënë, ishte dy muajshe dhe e humbi fëmijën nga dhuna që ai i ushtronte. Vajza nuk na tregonte shumë sepse donte të na ruante. Ajo në 22 gusht të 2019 vendosi të largohej nga ai, unë e prita mirë duke i thënë që shyqyr që shpëtove nga ai. Edhe unë kam pasur probleme me atë dhe prindërit e tij sepse ma dhunonin dhe kur unë i vura në dijeni për këtë dhunë nëna e atij tha burrë është le ta rrahë. Vajza ecte me shpresën se gjithçka mund të rregullohej, mirëpo që goca takohej me atë ish-burrin nuk e kam ditur, ndonjë dyshim e kisha për telefonin se mund të fliste. Vajza ime ishte një mrekulli e natyrës jo se është vajza ime por ajo ishte mrekulli. Unë dhe gruaja ime nuk kemi fare besim te policia, pasi ai edhe kur u denoncua nga vajza nuk u dënua kurrë apo nuk e kreu dënimin, janë sjellë në mënyrën më të poshtër. Ai u dënua në 2018 për dhunë ndaj vajzës, edhe një oficer policie ka marrë 4 mijë euro për të mbyllur gjërat. Unë kam dashur të shikoj vendin ku dha shpirt vajza ime dhe nuk më treguan asgjë, më thanë është larg por unë e gjeta vet, por u shokova sepse vendi ngjarjes ishte shkatërruar, pema ishte zhdukur, ishin prerë pemët rreth e rrotull. Çanta e vajzës kishte një paracetamol dhe një kuletë dhe një krehër flokësh. Vajzën e kanë krehur që të dukej sa më pastër, por vajza kishte gjithë rrobat me gjethe e dhe, që ne na çon në dyshimin se vajza ime është vrarë dhe jo vetëvrarë. Dega e pemës dhe degët përreth janë shkatërruar”, tha babai i Doraldës.

“Vajza atë ditë doli nga shtëpia në mëngjes si zakonisht, atë ditë e pyeta se çfarë t’i bëja për drekë dhe më tha më bëjë patate, i vura një shishe ujë në çantë si gjithmonë dhe ai ishte momenti fundit me të. Ajo atë djalin e donte shumë, nuk kisha çfarë t’i thosha sepse ajo ndiente shumë. Vajza ime i tha tezes, motrës time që ai i kishte thënë se Doralda do varet në pemë dhe do të vras prindërit. Ia kishte thënë vajzës një javë më parë se të ndodhte ngjarja, por motra ma tha atë ditë që ndodhi ngjarja. Vajza e denoncoi për automatikun që burri i saj mbante në shtëpi ky oficer policie e mbuloi ngjarjen”, tregoi nëna e 32-vjeçares.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb