KORÇË

LSI mblodhi sot aktivin e saj në Korçë, ku shpërndau edhe kartat për anëtarësimet e reja. Në fjalën e saj, kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi u shpreh se LSI beson te BE, te vlerat e saj por edhe te energjia e forca e të rinjve.

“Takohemi sot së bashku në një nga momentet më të vështira për vendin, në një nga udhëkryqet më të rrezikshme, në mesin e një krize ekonomike shumë të rëndë dhe të një shteti të kolapsuar nga korrupsioni, të marrë nëpër këmbë nga krimi i organizuar, me një qeveri që i përket dhe i shërben një grupi të vogël njerëzish.

Por me përgjegjësinë për të rikthyer shpresën dhe besimin dhe papajtueshmërinë me të keqen, me bindjen e pa lëkundur në forcën tonë, vitalitetin e shqiptarëve dhe rinisë së mrekullueshme, se kjo gjendje pa asnjë diskutim mund të ndryshohet dhe të rregullohet për të mirën e shqiptarëve.

Sot përballë kemi një qeverisje dhe një kryeministër që e ka nxjerrë Shqipërinë në treg, që duan ta zhbëjnë Shqipërinë, ta grabisin atë, ta mbajnë të varfër, të pa zhvilluar, të pa arsimuar, pa stabilitet politik dhe ekonomik, pa shërbim shendetësor, pa rend dhe siguri, me një drejtësi të kapur dhe të frikur, të pa integruar në familjen e madhe të BE. Ata mendojmë se kështu mendojnë se do zgjasin pushtetin e tyre në kurriz të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj opozita është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë historike që ajo ka, për ta shpëtuar vendin dhe për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë për shqipërinë dhe shqiptarët.

Opozita e Bashkuar e detyroi Rilindjen dhe Edi Ramën të pranojë zgjidhjen e opozitës për reformë zgjedhore, e cila i hap rrugën jo vetëm integrimit të vendit, por edhe krijimin e mundësive reale për zgjedhje të lira të ndershme e të parakohshme.

Opozita mori përgjegjësinë e saj përpara jush për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman jo vetëm e tij por dhe e bashkimit europian, për të bërë të mundur hapjen e negociatave në muajin mars. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet dhe mosdashjen e saj për të integruar vendin në BE.

Tashmë i duhet kësaj Qeverie të paaftë të mos mbajë më peng të ardhmen Evropiane të Shqipërisë. Tashmë është kjo Qeveri e lodhur që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman. Tashmë është kjo Qeveri dhe ky Parlament monopartiak, që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës.

Me marrjen e përgjegjësisë nga ana e Opozitës së Bashkuar për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që  ne mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve.

Sepse për ne Shqipëria është e para! E ardhmja Evropiane e saj është e para!

Edi Rama dhe Qeveria e tij e mbrapshtë duan ta përdorin izolimin e Shqipërisë si alibi për Mini-Shengenin duke shkuar kështu në aleanca dhe rrugë të tjera, të cilat shqiptarët nuk i kanë dashur as si politikë por as shpirtërisht.” u shpreh Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb