Ideja e “Shengenit Ballkanik”, e firmosur sot në Novi Sad të Serbisë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është bërë temë diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në “News24”. Për disa analistë, kjo është një nismë e rrezikshme, pasi lë jashtë Kosovën, por për disa të tjerë është një hap pozitiv.

Malaj: Gjëja e parë është të eliminojmë barrierat, së pari në mentalitet. Qeveria e re e Kosovës ka vetëm një zgjidhje, të bëhet pjesë e sfidave, jo e problemeve. Duhet një vullnet politik. Janë sfida të vështira, pasi është kollaj për populistët të të pengojnë.

Arion Sulo: Nuk e kundërshtoj nismën, sado pak të sjellë, do jetë më mirë seç është. Reagimin kundër e kam për shkak të mundësisë për mos çeljen e negociatave. Ne me Kosovën jemi një komb, dy shtete, me Maqedoninë lëvizin lirë. Edhe me këtë “Minishengen Ballkanik”, këta kryeministra do qeverisin po njëlloj, kurse në Bruksel qeverisin ata.

Etjen Xhafaj: Nëse negociatat nuk hapen, do sundojë një lloj pesimizmi politik dhe unë do të shihja zgjedhje të parakohshme si në Shqipëri, edhe në Maqedoninë e Veriut. Një “JO” tani do vinte në pikëpyetje shumë gjëra.

Vasjari: Më ka shqetësuar shumë nisma e sotme në Novi Sad, jashtë Kosovës. Kosova është shtet. Qarkullimin e mallrave dhe të ideve po e bëjmë, por mua më shqetëson qarkullimi i njerëzve. Si do shkojnë qytetarët kosovarë në Serbi? Unë e shikoj pak të vështirë, që deri më 2021 do kemi një njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb