Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot duke miratuar disa vendime. Si fillim u miratua një ndryshim në nenin 3, pika 3 e rregullores ku një prokuror nuk mund të komandohet 4 herë në të njëjtin pozicion ose në një pozicion tjetër.

Më tej me shumicë votash u miratua projekt- vendimi për komandimin e prokurores së Krujës, Mirela Kapo si ndihmës- magjistra pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me kryetar Artur Metanin për një periudhë 5- vjeçare.

Mirela Kapo ishte prokurorja e cila kërkoi arrestimin e Rexhep Rrajës, djalin e deputetit të PS Rrahman Rraja për për dhunë ndaj të dashurës së tij Xhisiela Maloku si dhe u kërkua edhe dënimi i tij me 1 vit burg. Gjykata në fund e liroi Rexhep Rrajën me shërbim prove.

Po ashtu Besnik Cani, prokurori që u shkarkua nga KPA i ka mbaruar mandati pasi nuk mund të kryejë më detyrën si anëtar i KLP.

 

NJOFTIMI I KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen plenare në prani të 9 anëtarëve dhe të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vëzhgues të tjerë të akredituar.

Mbledhja nisi me propozimin e anëtarëve Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri për përfshirjen në rendin e ditës të miratimit për disa ndryshime në “Rregulloren për caktimin e përkohshëm të prokurorëve”, miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me Vendimin nr.64, datë 15.04.2019 dhe botuar në Fletoren Zyrtare nr.66 datë 08.05.2019  dhe në “Projekt vendimin për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë”, miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me Vendimin nr. 56 datë 24.02.2020 dhe botuar ne faqen zyrtare të Këshillit.

Konkretisht është miratuar ndryshimi në nenin 3, pika 3 e rregullores, “Këshilli nuk mund të caktojë përkohësisht një prokuror më shumë se katër herë në të njëjtin pozicion ose në një pozicion tjetër” duke hequr kufizimin kohor deri në miratimin e “Rregullores mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve”.

Anëtari Kosta Beluri i propozoi Këshillit të shtohet në rendin e ditës ndryshimi i vendimit nr. 56, dt. 24.02.2020 “Për Kryerjen e Verifikimit të Figurës dhe Pasurisë për Kancelarët në detyrë”, duke shtuar edhe verifikimin e kritereve të tjera ligjore krahas vlerësimit të pasurisë dhe figurës, në përputhje me nenin 111, pika 1 të Ligjit 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e sistemit të prokurorisë”, dispozita kalimtare për Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kancelarin, ku parashikohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë “kryen verifikimin e figurës dhe të pasurisë, si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për shërbimin civil për sekretarin e përgjithshëm dhe kancelarët në detyrë”. Konkretisht, ndryshimin e titullit të Vendimit nr. 56, dt. 24.02.2020, sipas tekstit “Për kryerjen e verifikimit të figurës, pasurisë dhe kritereve të tjera ligjore, për kancelarët në detyrë” duke përfshirë në bazën ligjore të vendimit nr. 56, dt. 24.02.2020, të Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësit civil”, i ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 9049, dt.10.04.2003, i ndryshuar “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar. Ndryshimin e pikës 1 të vendimit sipas tekstit “Të kryejë verifikimin e figurës, pasurisë dhe kritereve të tjera ligjore, për kancelarët në detyrë”, si dhe ndryshimin e pikës 2 të vendimit nr. 56, dt. 24.02.2020, sipas tekstit “Të hartojë raporte të veçanta me rezultatet e verifikimit sipas pikës 1 të këtij vendimi, për çdo kancelar në detyrë”.

Me shumicë votash u miratua projekt-akti për komandimin e znj. Mirela Kapo, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, në pozicionin e ndihmës-magjistratit pranë Kabinetit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për një periudhë pesë vjeçare duke filluar nga data 04.03.2020.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar nё nenin 149/b, pika 1, germa d të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 66/3 të ligjit nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenet 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjitnr115/2016 Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar dhe pasi u njoh me vendimin nr.2, datë 27.02.2020 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe relacionin e përgatitur nga Komisioni i Disiplinës, vendosi të deklarojë mbarimin e mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për Z.Besnik Cani, për shkak të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës.

Gjithashtu, Këshilli ka hedhur shortin për përzgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Përkohshëm, i cili do të shqyrtojë arkivimin e ankimit e një shtetasi kundër një prokurori, në lidhje me vendimin nr.18/1 datë 24.01.2020, ku Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur arkivimin e kësaj kërkesë/ankesë. Kundër këtij vendimi është ushtruar ankim nga ana e qytetarit, përpara Këshilli të Lartë të Prokurorisë.

Bazuar në nenin 160, pika 13 e ligjit 115/2016, për shqyrtimin e kësaj kërkese krijohet një komision i përbërë nga dy anëtarë jo-prokurore dhe një anëtar prokuror. Komisioni është përcaktuar me short nën kujdesin e Kryetarit. Shorti përcaktoi tre anëtarë të Komisionit të Përkohshëm, Tartar Bazaj, Alfred Balla dhe Kostaq Beluri. Vendimet e komisionit të përkohshëm janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen para mbledhjes plenare të Këshillit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb