TIRANE-Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e së enjtes një seri vendimesh të rëndësishme, ndër të cilat edhe emërimin në detyrën e Prefektit të Qarkut të Kukësit të Liman Morinës.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi t’i propozojë Kuvendit, znj. Gentiana Sula për anëtar në Autoritetin për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme u vendos edhe për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit indirekt të asistencës së BE, në kuadër të instrumentit të asistencës së Paraanëtarësimit IPA II (2014 – 2020).

Qeveria vendosi po ashtu të miratojë disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1020, datë 14.10.2009, të Këshillit të Ministrave , “Për krijimin e agjencisë së auditimit të programeve të asistencës, akredituar nga bashkimi Europian”, të ndryshuar.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është edhe miratimi në parim i marrëveshjes me Qeverinë e Republikës së Kosovë për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.

Po ashtu u miratua edhe marrëveshja e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të vendimeve me rëndësi ekonomike u miratuan gjithashtu edhe disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1706, datë 29.12.2008, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimit”.

Po ashtu një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe ai për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Pogradecit dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj.

Gjithashtu u miratua në parim edhe Konventa e Këshillit të Evropës “Për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krime të ngjashme që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik”.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: