Rituali i përvitshëm i sherrit, dështoi edhe këtë herë të shpjegonte për publikun të vërtetën e vendimit të Bundestagut. Vendimi i djeshëm i Parlamentit gjerman ishte pro hapjes së negociatave dhe ndryshon nga qershori i 2018.

Atëherë u lanë 5 kushte për t’u plotësuar përpara se të konfirmohej hapja në qershor 2019. Ndërsa këtë vit u konfirmua hapja e negociatave dhe kushtet u lanë për tu zbatuar gjatë rrugës, me afate të përcaktuara qartë.

Në shkurt ose në mars, kur të bëhet ceremonia e hapjes së negociatave, për Maqedoninë, Shqipëria mund të mungojë nëse nuk ka formuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe nëse nuk ka bërë Reformën Zgjedhore me konsensusin e opozitës.

Mund të ndodhë që Franca, Holanda apo Greqia të kenë qëndrim më negativ ndaj Shqipërisë, ta bllokojnë hapjen, por nëse Këshilli Europian adopton atë që u vendos mbrëmë, negociatat quhen të hapura.

Shqipëria do të ecë me Maqedoninë si në një maratonë me dy pista.

Një pistë, pa pengesa ku vrapon Maqedonia dhe tjetra me 9 pengesa kur vrapon Shqipëria. Mund të ndodhë që të rrëzohemi që në pengesat e para, mund të ndodhë që t’i kalojmë, por e sigurtë është që, me këtë vendim, Gjermania tregoi se, jo vetëm e njeh situatën e brendshme të Shqipërisë më mirë se kushdo, por edhe se ka kthjellësinë për të marrë vendimin e duhur.

Ky vendim, jo vetëm që nuk na nxjerr nga gara për të humbur edhe një vit, por na nxit që të ecim shpejt duke përfshirë kërkesat e opozitës si detyrime të qeverisë, por edhe përgjegjësitë e të dyja palëve.

Në shkurt të 2020 “kriza e rëndë politike” që konstatojnë deputetët gjermanë, duhet t’i ketë lënë vendin një marrëveshjeje për Reformën Zgjedhore dhe Gjykata Kushtetuese e krijuar, duhet të ketë marrë një vendim për zgjedhjet lokale. Brenda 2 kushteve të para, është fshehur detyrimi për marrëveshjen mes palëve.

Reforma Zgjedhore konsensuale nuk mund të bëhet pa një marrëveshje me opozitën, ndërkohë që opozita i ka paraqitur kërkesat e saj për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe lokale të organizuara nga një qeveri tranzitore, pa Ramën Kryeministër.

Maxhoranca është e detyruar të përdorë të gjitha mjetet që ta ulë opozitën në tryezën e reformës, duke patur përgjegjësinë kryesore për situatën në vend dhe për integrimin. Pra, me vendimin e Bundestagut, duhet një marrëveshje shumë shpejt mes palëve, që të arrrijnë ta përfundojnë reformën zgjedhore në shkurt. Kjo është mënyra më e mirë për të bërë presion mbi palët, një mënyrë që i detyron ato të merren vesh ose të dalin përgjegjëse përpara shqiptarëve, për bllokimin e Shqipërisë.

Në fazën e dytë, ku do do të kontrollohen 7 kushtet për të hapur kapitujt që vijnë pas hapjes së negociatave, një nga kushtet më të rëndësishme është që të jenë tënuar ata që jkanë bërë krimet zgjedhore.

Kjo do të thotë që institucionet e drejtësisë së re të kenë përfunduar, në mënyrë që të garantojnë një gjykim të pavarur të të gjithë atyre që janë përfshirë në blerjen e votës në 2016 dhe 2017.

Vendimi i Bundestagut është i paprecedentë për nga analiza e detajuar që i është bërë situatës në Shqipëri dhe zgjidhjes kirurgjikale që ofron. Ai i heq çdo alibi maxhorancës, i jep përgjegjësinë që i takon opozitës dhe e shënjestron përpara publikut si përgjegjëse gjithë klasën politike./ dosja.al

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb