Qeveria kineze u ndalon sportistëve dhe sportisteve tatuazhet dhe u kërkon të heqin dorë nga ngjyrosja dhe modelet e pazakonta të flokëve.

Lojtarët e kombëtares kineze të futbollit duhet të japin një shembull pozitiv për shoqërinë. Kjo është arsyeja pse qeveria kineze u ka ndaluar lojtarëve të bëjnë tatuazhe të reja.

Lojtarët që kanë ndërkohë tatuazhe, qeveria i këshillon që t’i heqin ato vetë, thuhet në dekretin e Komitetit të Sporteve. Deri tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse anëtarët aktivë të ekipit kombëtar nuk e përmbushin këtë kërkesë.

Sipas dekretit ekipeve kombëtare të Shpresave (U20) u ndalohet rreptësisht që të angazhojnë talente të reja me tatuazhe. Disa lojtarë të njohur të kombëtares si mbrojtësi Zhang Linpeng, i kanë shfaqur deri tani publikisht tatuazhet e tyre – madje edhe veshur me fanellën e kombëtares.

Gjatë muajve të fundit qeveria kineze ka denoncuar vazhdimisht “estetikën jonormale” të personazheve publike dhe rinisë së vendit. Futbollistëve dhe futbollisteve u është kërkuar vazhdimisht të mbulojnë tatuazhet e tyre me fasha ose rroba të gjata.

Gjatë transmetime televizive nuk lejohej të shfaqeshin pjesët e trupit me tatuazhe.

Po ashtu qeveria e Pekinit i ka halë në sy edhe modelet e pazakonta të flokëve. Për shembull femrat nuk janë lejuar në mënyrë të përsëritur që të merrnin pjesë në ndeshje, sepse i kishin flokët të ngjyrosura me ngjyra të pazakonshme ose i kishin prerë në mënyrë ekstravagante./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb