Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i cili shoqëronte Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Taulant Balla në vizitën e tij në Bundestagun Gjerman ditën qe do mblidhej për të marë vendimin për Shqipërinë deklaron se Gjermania e hapi rrugën për në BE dhe Shqipëria nga sot ka në dorë shpejtësinë drejt Integrimit.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Bushati deklaron se Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla po sulmohet në mënyrë kaq të turpshme sepse po bën punën që nuk e bën dot Lulzim Basha.

“Z. Balla po lobon tek mazhoranca e djathtë e qeverisë së Merkelit. Aty ku PD-ja nuk ftohet më, as nga CDU-ja, as nga Bundestagu, as nga forca të tjera të djathta sepse është e pabesueshme”, thekson Bushati.

Megjithese Grupi i Liberaleve FDP në Bundestag mori vendim të mos votonte vendimin e propozuar nga partitë e Koalicionit të Madh qeverisës për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqiperinë, deputeti Alexander Kulitz e theu vendimin e grupit dhe votoi pro.

Postimi i plotë i Ervin Bushatit.

Gjermania e hapi rrugën për në BE – Shqipëria nga sot ka në dorë shpejtësinë drejt Integrimit! Ndaj sot të paktën duhej të ishte një ditë gëzimi pavarësisht ngjyrave partiake të cilitdo shqiptar, sepse kjo është një ditë e rëndësishme. Nuk duam fletë lavdërimi; por edhe sharjet e shpifjet dhe të ulëta nuk tingëllojnë aspak Shqiptare.

Ndjejmë keqardhje të thellë për akuzat e opozitës që për arsye të interesave politike është gati të dëmtojë përpjekjet e mundimshme, edhe punën e bërë për të merituar hapjen e negociatave.
Por NE sot jemi gjithsesi krenarë që punojmë edhe me parti të djathta për Shqipërinë në BE. Po pse sulmohet vallë në mënyrë kaq të turpshme z. Taulant Balla kryetari i grupit parlamentar të PS?!
Sepse po bën punën ….që nuk e bën dot Lulzim Basha!  Z. Balla po lobon tek mazhoranca e djathtë e qeverisë së Merkelit. Po lobojmë aty ku PD-ja nuk ftohet më: as nga CDU-ja, as nga Bundestagu, as nga forca të tjera të djathta sepse është e pabesueshme dhe është inkoherente në qëndrimet e saj. Minimalisht konfuze … Këtë herë, me ftesë të deputetit Mark Haumptman, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ishim në Berlin, ku për herë të parë në procesin e gjatë të hapjes së negociatave, morëm mbështetjen më të rëndësishme deri më sot. Ftesë nga niveli më i lartë politik: Si mundet që në Selinë e CDU-së të shkelet pa ftesë?!  Të shohim se kur -ose nëse- do e ftojnë më z. Basha. PO .. ne po lobojmë sepse po punojmë për Shqipërinë. Dhe po lobojmë me të gjithë krahët politikë në Gjermani. Unë kam qenë prezent në të tri vizitat zyrtare të Z. Balla në Berlin gjatë këtij viti, dhe ai ka qenë aty jo për të theksuar ndasitë politike, por ka folur përherë për interesat e shqiptarëve.

Kjo duhet të na bëjë të ndjehemi krenarë. Nëse lobimi ynë aktiv ka ndikuar pozitivisht në vendimin e marrë dje në Bundestag, kjo është një arsye më shumë për t’u përshëndetur dhe jo për të sharë.  Kjo është arsye për të qenë krenarë dhe jo për të vijuar përbaltjen ballkanike.
Shpesh na është dashur të udhëtojmë në vende të ndryshme të BE-së për të prezantuar ecurinë e reformave si kundërvënie e imazhit negativ të promovuar nga opozita me veprime në Tiranë dhe lobime në Kancelaritë e Perëndimit.
Por kjo frymë NEGATIVE duhet të marrë fund. Vendimi i Bundestagut gjerman nuk ishte “mëshirë”, por dëshmi e reformave që janë ndërmarrë dhe po zhvillohen në Shqipëri. Padyshim që ky nuk është finalizimi, por një fillim i ri dhe i rëndësishëm i vazhdimësisë së rrugës së INTEGRIMIT në BE.
395 votat PRO të deputetëve në Bundestag, pas vendimit historik të 26 Shtatorit, do të thotë: më shumë përgjegjësi dhe punë së pari për ne socialistët, të gjithë klasën politike në vend dhe të gjithë shqiptarët.  Kjo është rruga e duhur që anëtarësimi ynë në BE të jetë e ardhme e afërt.  Mirënjohje çdo deputeti gjerman që votoi PRO

Kushtet e Gjermanisë për ne nuk janë pengesë, absolutisht jo.  NE i kemi nisur këto reforma, dhe s’mund të ketë kthim pas. Përmbushja e tyrë është një shtysë e mirë që finalizimi i çdo reforme të ndërmarrë, të ecë vetëm në rrugën e duhur.
Reforma në Drejtësi për të cilën Gjermania, posaçërisht Kancelarja Merkel është investuar, sikundër SHBA-ja, po shkon përpara dhe do të finalizohet me çdo kusht.  Çdo reformë që qeveria ka ndërmarrë është në rrugë pa kthim, ndaj edhe rruga jonë drejt BE-së është pa kthim.
Kemi shumë arsye për t’ju kërkuar shqiptarëve të na besojnë dhe votëbesojnë edhe një mandat tjetër, si një detyrim për të çuar përpara vendin dhe përmbushjen e ëndrrës së çdo shqiptari për të qenë qytetar europian me të drejta të plota.

Në 4 ditë intensive lobimi përpara seancës ku u vendos se Shqipëria ka vetëm 1 rrugë, atë drejt BE-së, u takuam me shumë deputetë:
Paul ZIEMIAK, Sekretar i Përgjithshëm, CDU; NIKOLAS LÖBEL, CDU; OLAV GUTTING, CDU; PETER BAYER, CDU; MARK HAUMPTMAN, CDU/CSU; METIN HAKVERDI, SPD; FLORIAN HAHN, CDU/CSU; ROLF MÜTZENICH-Kryetar i Grupit SPD; JOSIP JURATOVIC, SPD – Kryetar i Marrëdhënieve me Ballkanin; FRANK SCHWABE, SPD-Kryetar i GP SD në Këshillin e Europës; DR. NILS SCHMID, SPD – Zëdhënës për Punët e Jashtme; ALEXANDER KULITZ, FDP-Zëdhënës për Ekonominë Ndërkombëtare; THOMAS HACKER, FDP-Zëdhënës për Median/Kom.Jashtëm; ANDREJ HUNKO DIE LINKE, CARSTEN SCHNEIDER, SPD-Kryetar i deputetëve të rinj.

Të gjitha këto takime të realizuara në Bundestag. Ne ishim të ftuar edhe për të ndjekur diskutimet në sallë por agjenda e punës në Shqipëri, na deryronte të ktheheshim.

PO … ne bëjmë lobim për Shqipërinë! PO …. ne punojmë për Shqiptarët në Europë! Kjo është krenaria jonë: sot në negociata & nesër në BE ????.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: