TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë kërkesën e saj e automatikisht duke e shpallur ligjin e vettingut të ligjshëm.

PD shprehet se respekton vendimin e Kushtetueses dhe ripohon vendosmërinë për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit por shpreh sërish shqetësimin se ligji aktual do të vendosë vettingun nën kontrollin e Kryeministrit.

“Partia Demokratike respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Vetingut dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë.

Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e Kryeministrit”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas saj, “kontrolli qeveritar i vetingut është njësoj i rrezikshëm pavarësisht se kush është kryeministër”.

“Por në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”, përfundon reagimi i PD.

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e PD për ta shpallur ligjin e vettingut të paligjshëm me 6 vota kundër kësaj kërkese dhe 2 pro.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb