Anëtari i Bindjes Demokratike dhe juristi Fabjan Topollaj i ftuar në studion e News24 ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor duke hequr herësin.

Sipas Topollajt, formula vitit të kaluar për herësin është shpallur antikushtetuese nga vetë Gjykata.

Ai thotë se tashmë do të jetë sërish parlamenti apo legjislatori që duhet ta plotësojë këtë ndërkohë që i vetmi interpretim që mund të bëhet është në bazë të pikës 4 që thotë se kandidatët me më shumë vota zëvendësojnë në listë ata me më pak vota, pra që listat hapen 100%.

Gjithsesi Topollaj thotë se pavarësisht se herësi u shpall antikushtetues, vendimi nuk vlen për zgjedhjet e kaluara të 25 prillit pasi KQZ i shpërndau mandatet dhe jo më kot vendimi i Gjykatës Kushtetuese u shty deri më sot.

”Jam një nga hartuesit e kërkesës. Mendoj që Gjykata Kushtetuese është legjislator negativ, shfuqizon ato nene i heq kur janë në kundërshtim me Kushtetutën, pastaj i plotëson parlamenti. Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetuese formulën e herësit. Pra, ne në Kushtëtutë kemi dy lloje votash, përveç se për partisë dhe për kandidatin.
Kodi Zgjedhor shpërndarjen e mandateve në bazë të votave parapëlqyese e bënte në bazë të herësit. 10 mijë vota parapëlqyese, mesatarisht, në asnjë rast nuk doli më pak, që vota parapëlqyese të kishte ndikim.
Kjo tashmë është hequr. Tani duhet zbardhur vetëm dispozitivi, s’kemi arsyetimin. Ajo që mund të themi është se ka rënë herësi, ne kemi një Kod Zgjedhor pa herës. Sigurisht është vota parapëlqyese, renditja e kandidatëve.
Unë e kuptoj që me rënien e herësit, nëse ne do të duhet të bënim zgjedhje sot domosdoshmërisht shpërndarja e mandateve do të bëhej nga vota parapëlqyese, pra si listë të hapur 100%.
E para të shohim arsyetimin dhe nëse legjislatorit do i lihet në dorë të bëjë plotësimin.
Pika 2 e nenit 163 thotë që shpërndarja e mandateve ndodh në rend zbritës, një nga një, si dhe nga numri i votave. Pika 6 na thotë që pas shterimit të kandidatëve, shpërndarja e mandateve do të bëhen sipas pika 3 dhe 4.
Na ka mbetur vetëm pika 4, e cila thtoë se kandidatët me numrin më të lartë të votave zëvendësojnë të tjerët në listë. Me kaq sa kemi, vetëm këtë interpretim mund të bëjmë.
Kemi thënë në kërkesën tonë që shqiptarët kanë kërkesën parapëlqyese. Një nga karakteristikat e votës është që vota duhet të jetë e barabartë. Herësin e ka rrëzuar tashmë Gjykata Kushtetuese.
Dua të bëj një sqarim për efektshmërinë për shpërndarjen e mandateve. Jo pa qëllim vendimmarrja u shty deri më sot. Në konceptin bazë vendimet e GJK nuk ka veprim paraveprues, pra që nuk vlen për zgjedhjet e kaluara.
Sa i përket reagimit të palëve politike. I kemi vendosur në vështirësi.”- tha Topollaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb