Artan Murati, këshilltar politik i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes, ku kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Murati thotë se thotë se “praktika e Gjykatës Kushtetuese për mos-trajtim të çështjeve Kushtetuese të ngritura nga ana e kreut të shtetit, të përcaktuar sipas nenit 84(9) të Kushtetutës, nuk po e merr parasysh interesin publik për çështjet të cilat ngritën për interpretim para Gjykatës”.

“Përmes kësaj dispozite, ish-Presidentja Jahjaga kishte dërguar në Kushtetuese çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe. E dini të gjithë vlerën publike të interpretimit të Gjykatës për atë rast. Imagjinoni si do të mund të rrjedhnin gjërat sikur gjykata të refuzonte të jepte interpretimin për Asociacionin, pra sikur ta përdorte praktikën që po përdoret së fundmi ku refuzohen të gjitha çështjet e ngritura nga kreu i shtetit bazuar në dispozitën e lartcekur”, është shprehur Murati në një postim në Facebook.

Më tej, ai ka deklaruar se “është e domosdoshme që për aq sa është e mundur, të parandalohen paqartësitë kushtetuese, duke ofruar zgjidhje për problemet e shfaqura”.

“Në këtë mënyrë do të garantohej parimi i sigurisë juridike, dhe mundësitë për shkelje të autorizimeve kushtetuese (për shkak të interpretimeve të ndryshme) nga ana e institucioneve do të ishin shumë më të vogla. Ajo çfarë të paktën sqarohet nga ky Aktvendim, është se Gjykata trajton vetëm kërkesat për kompetenca të cilat burojnë nga Kushtetuta e jo edhe ato të bazuara në ligj. Pra që emërimet e shkarkimet e parapara vetëm në ligj, e jo në kushtetutë, nuk janë çështje që trajtohen nga gjykata.Në pritje të publikimit të Aktvendimit të plotë, për ta analizuar në tërësi”, thotë mes tjerash ai.

Tutje, Murati ka thënë se deklaratat kinse kërkesa e presidentes drejtuar gjykatës për interpretim të kompetencave qenka shërbim ndaj partive të caktuara, janë absurditete të pabazuara

“Ndërkaq, deklaratat se kinse kjo kërkesë e Presidentes drejtuar gjykatës për interpretim të kompetencave qenka shërbim ndaj partive të caktuara, janë absurditete të pabazuara të cilave nuk ka njeri racional në Kosovë që ju beson. Për më tepër, kjo po tregon degradimin e skajshëm të gjuhës krejt pa argument, edhe pse Presidentja ka vepruar me ndërgjegje të lartë institucionale kur i është adresuar Gjykatës para se të ndërmarrë veprime”, ka pohuar Murati.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Kushtetuesja, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kërkesa e presidentes nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb