Protesta në qytete anembanë Amerikës pasi Gjykata e Lartë hoqi mbrojtjen kushtetuese për ata që kërkojnë abort.
Gjykata rrëzoi vendimin historik të Roe v Wade, një veprim që ka të ngjarë të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve.
Gratë shtatzëna që mendonin për aborte tashmë po përballeshin me një ndalim pothuajse të plotë në Oklahoma dhe një ndalim pas afërsisht gjashtë javësh në Teksas.

Klinikat në të paktën tetë shtete të tjera – Alabama, Arizona, Arkansas, Kentucky, Missouri, Dakota e Jugut, Wisconsin dhe Virxhinia Perëndimore – kanë ndaluar kryerjen e abortit pas vendimit.

Në Alabama ku të tre klinikat në shtet kanë ndërprerë shërbimet, guvernatorja Kay Ivey vlerësoi masën e Gjykatës së Lartë.
“Nuk mund të jem më krenare si guvernatore, si e krishterë dhe grua për të parë të rrëzuar këtë vendim të gabuar dhe të dëmshëm”, tha ajo. “Alabama do të vazhdojë të mbrojë foshnjat tona të palindura, nënat dhe familjet tona”.

Ligji i Jutës, i cili hyri në fuqi pasi Roe v Wade u përmbys, i bën abortet të paligjshme, përveç rasteve të përdhunimit ose incestit, ose kur nëna do të përballej me rrezik serioz për jetën ose shëndetin e saj.

Një ligj në Ohajo, i cili ndalon shumicën e aborteve në rrahjet e para të zemrës së fetusit, hyri gjithashtu në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Në Cedar Rapids, Iowa, një protestë kundër vendimit të gjykatës u kthye e dhunshme pasi drejtuesi i një kamioni thuhet se u përpoq të përmbyste demonstruesit.
Guvernatorët demokratë të Kalifornisë, Uashingtonit dhe Oregonit u zotuan të mbrojnë të drejtat riprodhuese dhe të ndihmojnë gratë që udhëtojnë në shtetet e tyre duke kërkuar aborte.

Në Massachusetts, guvernatori republikan Charlie Baker nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synonte të mbronte aksesin në shëndetin riprodhues.

Urdhri ndalon agjencitë shtetërore të ndihmojnë hetimin e një shteti tjetër ndaj një personi ose biznesi për marrjen ose ofrimin e shërbimeve të shëndetit riprodhues që janë të ligjshme në Massachusetts. Ai gjithashtu mbron ofruesit që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor riprodhues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb