NGA OLA MITRE
TIRANË- Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nën drejtimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi i ka propozuar qeverisë projektvendimin “Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të invalidëve dhe ish-minatorëve, që përfitojnë sipas ligjit nr. 150/2014”.

Debitë e këtyre kategorive janë krijuar për shkak të punësimit, teksa paralelisht përfitonin pension nga fondi, ndërkohë që propozimi është bërë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Administrativ të ISSH-së. Burime të sigurta brenda mbledhjes, bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se me miratimin e këtij projektvendimi do të falen debitë e rreth 260 minatorëve dhe rreth 1000 invalidëve të pjesshëm dhe të plotë, të krijuara deri në datën 31.12.2016.

Të njëjtat burime saktësuan se të gjitha debitë që do të krijohen pas datës 1 janar 2017 për shkak të punësimit, ndërkohë që tërhiqen pensionet mujore, nuk do të falen dhe do të ndalohen sipas përcaktimeve ligjore. Ndërkaq, pas propozimit nga Këshilli Administrativ i ISSH-së, projektvendimi do të duhet të shkojë në qeveri për miratim.

Vendimet
Falja e debive për këto kategori vjen pas vendimit të muajit prill, për faljen e detyrimeve për 5425 ish-ushtarakë. Kësaj kategorie, çdo muaj i mbahej një pjesë e pensionit si pasojë e rillogaritjes së tij. Ndërkohë që, paralelisht u vendos dhe kthimi i parave që ishin pagur deri në kohën e miratimit të ligjit.

Po ashtu, përgjatë këtij viti u miratuan 2 vendime të rëndësishme për ngushtimin e diferencave të pensioneve për profesionet e rënda dhe për ngushtimin e diferencave për pensionistët e dalë në vitet 1993-1996. Sipas këtyre vendimeve një sërë pensionesh të caktuara në vitet 1993-1996 përfituan rritje të masës, duke u përafruar me pjesën tjetër.

Rritja ndryshonte sipas periudhës së caktimit të pensionit nga 1.1.1993 – 31.12.1996, ndërkohë që shtimi për këto kategori ishte me shuma fikse, duke çuar në një masë pensioni jo më të ulët se 14 085 lekë. Po ashtu, në vazhdën e vendimeve që prekin kategorinë e pensionistëve, u miratua vendimi për rritjen e pensioneve për personalitetet e artit, kulturës dhe shkencës.

Ndërkohë që, për të gjithë ata që kanë probleme me dokumentimin e viteve të punës, nuk do të kenë më nevojë t’u drejtohen gjykatave. Kjo pasi, njohja e viteve do të bëhet nga vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, duke lehtësuar procedurat e tej zgjatura nëpër gjyqe.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb