Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deri më tani nuk njeh asnjë vendim të KQZ që ia ndalon kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit pasi ka qenë i dënuar më vendim të formës së prerë.

Kurti thotë se ai apo LVV nuk kanë marrë ndonjë shkresë nga KQZ, por thotë se të gjithë e dinë tashmë që ai është i pari i listës.

Ai pranon se ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm për zgjedhjet dhe shton se institucionet e shtetit duhet të ndjekin vullnetin e popullit e jo t’i vihen përballë.

Sot siç raportuan mediat kosovare, KQZ nuk certifikoi Albin Kurtin dhe 46 kandidatë të tjerë pasi janë identifikuar se janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Me këtë vendim automatikisht Vetëvendosje shkon pa kryetarin e saj në zgjedhje, por nga partia e Kurtit nuk mendojnë po njëlloj.

”Unë nuk jam në dijeni  për kurrëfar vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo çka po verejë në Kosovë është një entuziazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prinë, por edhe populli në Kosovë, besojë që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit/

Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”,- deklaroi Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb