Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka treguar dy kandidaturat për kryetar bashkie në dy qytetet, Vorë dhe Rrogozhinë. Qytetari i parë i Tiranës zbuloi se në Rrogozhinë, i është besuar kandidimi Edison Memollës, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të bashkisë në këtë qytet.

Në Vorë, është kaluar në një arsimtar, psikolog, i quajtur Blerim Shera. Veliaj u shpreh i bindur se me këto dy kandidatura Partia Socialiste do të korrë të tjera suksese dhe do të çojë përpara projektet e nisura.

“Kishim një diskutim që zgjati një orë. Janë dy bashki të vogla. Vora ka shkuar herë majtas herë djathtas, kemi pasur fitore spektakolare atje. Kemi disa kantiere të hapura në Vorë. Rruga autostrada e madhe kalon atje, e duam që Vora të trajtohet si kërthiza e Shqipërisë. Kemi shumë projekte atje. Rrogozhina gjithashtu është bërë një rëndësi atraktive. Kemi parë këto situata. Në Rrogozhinë do të vijojmë me Edison Memollën.

Një djalë fantastik. Sot Rrogozhina është dhe pjesa e bregdetit, janë ndërthurur të gjitha. Ndaj do të vazhdojmë të mbështesim Edisonin, e mezi pres që si në Vorë dhe Rrogozhinë të kemi rezultate të mira. Në Vorë kemi pasur disa drejtues e duam të jetë një faktor unifikues, i kemi besuar një mësuesi. Blerim Shera do të jetë kandidat për Vorën. Mezi pres të rikthehem në fushatë”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb