TIRANË

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit është diskutuar sot në emisionin “Pikat mbi i” në News24. Analisti Artur Zheji deklaroi se nuk e priste këtë vendim, pasi situatat politike anormale kanë nevojë për refleksion duke sjellë shembuj nga e kaluara. Sipas tij u vulos monopartitizimi. Zheji tha më tej se Shqipëria është një kasolle institucionale.

Ndërkohë Drejtori i Informacionit në News24 Robert Rakipllari tha se e priste vendimin për njohjen e 30 qershorit, nisur edhe nga opinioni i Komisionit të Venecias. Ai theksoi se nuk mund të kishte një vendim juridik mbi një çështje politike, duke i mëshuar zgjidhjes politike.

Zheji: Jo, nuk e prisja. Situatat politike anormale, radikale, kanë nevojë në momentin e refleksionit që të ekuilibrohen. Zgjedhjet e kontestuara të vitit 2001, nga BE u bë shumë presion, u kërkua që të bëhej një ekuilibër dhe u bë tek presidenti që u zgjodh në mënyrë konsensuale. Vazhdoi me KLSH, për disa figura konsensuale. Në këtë kontekst mendoj që të njohësh si legjitime zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat nuk patën më shumë se 15% pjesëmarrje do të thotë të vulosësh jo vetëm monopartitizmin në Shqipëri, por të mos bësh dhe asnjë hap ndaj konsensualitetit.

Rakipllari: Vendimi ishte i pritshëm. Që në momentin që Kushtetuesja nuk arriti dot që të merrte një vendim pa e çuar në institucionet ndërkombëtare u pa që diçka nuk po shkonte dhe u shkua drejt këtij vendimi. Zgjedhjet monopartiake janë certifikuar nga ana procedurale. Gjykata Kushtetuese nuk do shqyrtonte thjesht çështje zgjedhore, por që u bënë pa dekret. Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtonte një dekret presidenti. Mendoj që kjo nuk është një çështje që zgjidhej nga Gjykata Kushtetuese, është më shumë çështje politike. Këto zgjedhje nuk ishin të parat të bojkotuara në Shqipëri. I ka bojkotuar PS në 1996. Mendoj që bojkotet nuk janë të mira në vetvete, por ato nuk janë cene të demokracisë shqiptare, e pasurojnë përpjekjen e opozitave për një balancim të pushtetit. Gjykata Kushtetuese ka certifikuar zgjedhjet lokale me cen, ku morën pjesë 600 mijë shqiptarë dhe rezultati, kemi një pushtet lokal monopartiak. E shtojnë barrën e pushtetit dhe mungesën e tmerrshme të balancimit të pushteteve.

Si e shikoni ecurinë e mëtejshme?
Zheji:
Situata nuk është siç u përshkrua në një pjesë të analizës që bëri Rakipllari. E vërtetë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë politikë, i qëndron koordinatave ligjore, pavarësisht se ka dy dekrete. Kjo i hap derën një situate të tillë, pse opozita mori vendim për të bojkotuar zgjedhjet, nuk u çmend, por ajo u vu në cep, u radikalizua refuzimi ndaj saj në të gjithë pjesëmarrjen institucionale. E vetmja rrugë për t’u marrë seriozisht si opozitë ishte të radikalizonte qëndrimin e saj. Për refuzim total të maxhorancës për t’u ulur, për të negociuar, për ta shuar zjarrin, atëherë u kalua tek kjo gjë.

Rakipllari: Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e dalë nga reforma në drejtësi duhet të jepte një vendim të vetin, ajo nuk e bëri një gjë të tillë, e çoi në Venecia që është më i specializuar. Tek opinioni i parë kur tha se presidenti i ka tejkaluar kompetencat, por nuk ka shkelur kushtetutën, komisioni parlamentar u mbyll. Herën e dytë ishte për thirrjet gjatë fushatës dhe nuk u pyet Venecia. Zgjedhjet e 30 qershorit kulmuan pas çadrës, djegies së mandateve, është një çështje që zgjidhet politikisht. Kush ka shpresuar që ai bojkot politik, ai akt politik i opozitës do të zgjidhej nga institucionet juridike e ka pasur të kot. Këto zgjedhje me cen zgjidhen me një kompromis politik.

Zheji: Këtu nuk kemi asnjë kontradiktë. Fakti që shkoi dhe u delegua tek Gjykata Kushtetuese është demonstrim i anomalisë totale të funksionimit të raportit pozitë-opozitë. Ne kemi një krah që përdor forcë, që është maxhorancë, një krah që ka arbitrin me vete që kërkon më shumë stabilitet se demokraci, Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidhi, la në fuqi anomalinë e 30 qershorit. A mund të vazhdojë Shqipëria të drejtohet nga kryetarë bashkie që shkarkohen nga kryeministri. Kjo duket sikur e ndihmon pushtetin e kryeministrit, kjo e kalbëzon. Rama po lejon në emër të një pushteti, dekadencën e shtetit shqiptar. Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidhi dot dhe ka lënë dhe litarin mbrapa.

Rakipllari: Ky është një debat politik, konflikt politik. Opozita doli jashtë sistemit, për të dhënë një sinjal për ta shokuar pushtetin, kjo ishte një rrugë që u përkrah nga një pjesë e opinionit publik, por jo nga faktori ndërkombëtar, por kjo nuk mund të zgjidhej nga Gjykata Kushtetuese, sepse do t’i qëndronte strikt opinionit të Komisionit të Venecias. Kur nuk hyn në zgjedhje, do marrësh parasysh dhe pasojat. Opozita bëri atë shokim të sistemit, shoqëria shqiptare e ka alertin. Çështja nuk ka zgjedhje juridike, zgjedhjet janë bërë, kolegji i ka certifikuar. Ky është një konflikt që ka zgjidhje politike. Kryeministri e ka bërë këtë gjë me një synim të caktuar, janë bërë ato zgjedhje, sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, për të marrë kryetarët e bashkive e për të marrë zgjedhjet.

Zheji: Rama nuk ka dhënë asnjë shenjë refleksioni. Ai ka thënë që është i hapur për të bërë pis opozitën, në momentin që ka krizë, ku një pjesë e opozitës i thotë opozitës je i shitur tek Rama. Në Shqipëri janë mbajtur me cungje të kalbura kasolle pafund. Shqipëria është një kasolle institucionale. Kjo është një ekonomi informale që e mban kasollen me cungje të kalbura. Është një kryeministër shëtitës.

Nuk mendoj që do të bëjë zgjedhje lokale. Mund të japë vetëm ato 6 bashki.

Rakipllari: Këto 6 bashki që kanë rënë janë një lakmues që tregojnë se këto zgjedhje kanë rënë dhe nga ana politike. Opozita dogji mandatet për të arritur tek një zgjedhje politike që nuk arriti dot. Këta 6 kryetarë bashkie janë kapur nga rrjeta e dekriminalizimit. Nuk mendoj se ka moment për zgjedhje të pjesshme.

Meqenëse janë këto 6 bashki, meqenëse është reforma territoriale, mund të jetë një paketë dhe të shkohet në zgjedhjet lokale të parakohshme. Po flasim për zgjidhje politike, zgjidhje të dhunshme, me bojkote u provua që nuk vlejnë.

Zheji: Faktori ndërkombëtar besoj që është tejngopur nga kreditet që i ka dhënë Ramës. Besoj që tani po shpërndan besim dhe po kërkon gjithmonë e më tepër peshore, balancimin.

Rakipllari: Opozita ka një marrëdhënie të re me faktorin ndërkombëtar dhe në interesin e Shqipërisë ka nevojë për një ribalancim politik. Në këtë kuadrin e rirregullimit të marrëdhënieve të opozitës me ndërkombëtarët, besoj që ka ardhur momenti për një zgjidhje politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb