Avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja, e ftuar me anë të një lidhje direkte me studion e emisionit “News 24”, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin.

Kalaja tha se ky vendim i gëzon të gjithë, pasi Gjykata votoi pro dy pikave që ‘Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit’ kishte paditur, siç ishin ndalimi i ndërtimit të teatrit të ri dhe shfuqizimit të ligjit special, që kthente Bashkinë e Tiranës në pronare të saj.

Kalaja tha se përkundër vendimit të Kushtetueses, beteja e tyre ligjore ende nuk ka përfunduar dhe shtoi se çështja nëse nuk gjen zgjidhje në gjykatat e vendit, do të shkojë deri në Strasburg.

Adriana Kalaja: E shikoj që mbase jashtë vullnetit të anëtarëve të sistemit, e shoh në një presion të ndikimit të paligjshëm nga funksionarë shtetërorë, vendas dhe të huaj. Unë do të doja ta gëzoja fitoren, bashkë me të gjithë miqtë e mi. Me të gjithë ata që kontribuuan në këtë kauzë, që është më e bukura në këto 30 vite. Fituam një ligj special që u fuqizua. Ajo ishte potencial i mundshëm që në një moment të dytë, nëse qeverisë dhe bashkisë nuk i dalshin pazaret, do të riktheheshin prapë. Ligji kishte bërë disa efekte. Unë nuk mund të shprehem qartë dhe prerë lidhur me vendimin e shembjes, pasi nuk kam parë të arsyetuar vendimin e gjykatës për këtë pikë. Do të kemi shumë pikë për të operuar në betejën tonë të mëpasshme ligjore, për aq kohë sa Kushtetuesja ka nxjerrë nul vendimin e pronës. Ne e kemi thënë që do i drejtohemi Strasburgut, nëse nuk marrim pritshmëritë tona. Qëllimi final është nxjerrja e përgjegjësisë penale, qëllimi final është rindërtimi i teatrit, aty dhe aty ku ishte, për këtë vepër të madhe që shkatërruan, historisë shqiptare, do të paguajnë personat përgjegjës.

Nëse shembja nuk cilësohet si kushtetuese, do të paguajë njeri?

Adriana Kalaja: Unë nuk mendoj që Gjykata Kushtetuese është shembur në këtë pikë, ajo e ka arsyetuar pjesën e çështjes si anti-Kushtetuese, ne do të ndjekim deri në fund procedurat. Në këndvështrimin tonë përgjegjësia personale do të prevalojë mbi gjithçka. Kush ka gisht në veprat korruptive të teatrit të ri, do të shkojë përpara ligjit.

Ju keni çuar disa çështje në SPAK, çfarë po ndodh?

Adriana Kalaja: Një pjesë e mirë në kallëzimet tona, lidhet me dy pikat tona që Gjykata na dha të drejtë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i çliron ato nga trysnia dhe shpejt, një pjesë e mirë e kallëzimeve tona do të shkojnë përballë Gjykatës së Posaçme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb