Situata politike e krijuar në Shqipëri pas anulimit të datës së zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës, është thuajse e paprecedent për veçoritë që ka. Kriza të ngjashme ka patur vite më parë, dhe për zgjidhjen e tyre është dashur ndërhyrja e institucionit të Presidentit të Republikës, por në asnjë rast kreu i shtetit nuk ka ç’dekretuar datën e zgjedhjeve pa vendosur më pas një datë të re.
Alfred Moisiu dhe Bujar Nishani janë 2 presidentë, të cilëve u është dashur të ndërhyjnë me dekrete në situata krizash e të caktojnë datë të dytë për zgjedhjet pas marrëveshjeve politike.
Më 14 janar 2007 presidenti Alfred Moisiu dekretoi 18 shkurtin si datë për zhvillimin zgjedhjeve vendore. 18 shkurti ishte data e dytë dhe dekretimi i saj erdhi pas marrëveshjes mazhorancë –opozitë. Me anë të dekretit nr. 5194, bazuar në Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor Alfred Moisiu shfuqizoi dekretin nr. 5131, dhe vendosi që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvilloheshin më datë 18 shkurt 2007.
10 vjet më vonë më 22 maj 2017, Presidenti Bujar Nishani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 qershor, datë e dalë gjithashtu nga një marrëveshje e arritur ato ditë mes mazhorancës dhe opozitës. Në bazë të kësaj marrëveshje, kreu i shtetit dekretoi në po atë datë, edhe zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë Kavajë.
Vendimi i Presidentit aktual është i ndryshëm nga ata të paraardhësve të tij, në 2 detaje. Së pari, vendimi i Metës nuk erdhi si rezultat i një marrëveshjeje politike dhe së dyti ai bëri ç’dekretim të zgjedhjeve pa dekretuar datën e dytë.
(BalkanWeb)