Në kulmin e pandemisë, qeveria shqiptare ka vendosur të rikonstruktojë rrënjësisht maternitetin Mbretëresha Geraldinë, duke nisur me prishjen e njërës prej dy godinave historike të shpallura nga qeveria monument kulture i kategorisë së dytë.

Prishja e objektit ka filluar paraditen e të shtunës, datë 20 mars 2021, ndërsa në hyrje të maternitetit është vendosur projekti i ndërtesës së re që ka vetëm një kat të shtuar në njërën nga dy godinat muzeale.

Projekti rikonstruksionit dhe ndërtimit të godinës së re tre kate është realizuar nga instituti i ndërtimit, që deri në nëntor të vitit të shkuar drejtohej nga inxhinier Agron Hysenlliu, i cili humbi jetën nga Covid-19 më 15 nëntor 2020.

Kujtojmë se është i njëjti institut dhe i njëjti titullar, që bënë edhe vlerësimin e Teatrit Kombëtar duke mbrojtur prishjen e godinës historike dhe muzeale me arsyetimin se ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

Sic kuptohet nga tabela në hyrje, rikonstruksioni i plotë dhe ndërtimi i objektit të ri tre katësh do të kërkojnë tre vite kohë dhe rreth 4 milionë euro. (466.395.123 lekë të reja).

Por nxitimi, koha e përzgjedhur, si dhe mungesa e transparencës nga ana e ministrisë së linjës për një projekt të mbajtur në hije deri në ditën e vënies në zbatim, mbart shumë pikëpyetje në vetvete, pasi flitet për një shërbim gjinekologjik terciar, e ku përplasen nga e gjithë Shqipëria rastet më të rënda me komplikacione të shtatzënisë, si dhe realizohen me qindra operacione të heqjes së tumoreve gjinekologjike.

Burime për News24 bëjnë me dije se për shkak të prishjes së godinës tre katëshe shërbimet më kryesore, reanimacioni i grave, i bebeve dhe pavioni i grave që kanë fëmijët në inkubatorë janë spostuar në godinën kryesore, duke dyfishuar ngarkesën e spitalit. Për rrjedhojë, nuk ka më dhoma me dy shtretër, pasi të gjitha dhomave u janë shtuar dy ose më shumë shtretër, çka bie ndesh me të gjitha protokollet e distancimit social për shkak të pandemisë.

Për më tepër, prishja e godinës ka cuar në shkurtim të shtretërve në reanimacionin provizor të grave, që sot ka vetëm dy shtretër.

Nga ana tjetër, është e pakuptueshme sesi objekti që do të ndryshojë tërësisht pamjen e jashtme dhe të brendshme u hoq nga lista e monumenteve që mbrohen nga shteti.
Situata e mbipopullimit në maternitetin kryesor në vend do të zgjasë 36 muaj, pra plotë tre vite dhe do të ecë paralelisht me një nga pandemitë më të egra të 100 viteve të fundit që nuk po kursen as gratë shtatzëna. Në harkun e një muaji, 6 shkurt – 9 mars kanë humbur jetën 3 gra shtatzëna, ndërsa dy të tjera ndodhen në intubim në reanimacionin qendror të QSUT, por fatmirësisht kanë kryer lindje të parakohshme, duke sjellë në jetë 5 foshnje.

Që prej janarit të vitit 2020 e në vijim shqetësimi më i madh në mbarë globin është shtimi i kapaciteteve spitalore për të përballuar cdo situatë a rrezik të mundshëm që mund të shkaktojë Covid-19 në të ardhmen, porse Shqipëria duket se bën përjashtim, pasi ka luksin të shembë spitale terciare, e për më tepër që mbartin gjurmë të historisë qytetare tiranase, që po zhduken pak nga pak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb