Në mbledhjen e radhës së qeverisë, një nga vendimet ishte dhe kompensimi i udhëtimit për punonjësit e policisë së shtetit që emërohen, transferohen në mënyrë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendbanimit të tij.

Sipas vendimit të qeverisë, kompensimi do të jetë nga 10 mijë deri në 25 mijë lekë në muaj në distancat nga 36km deri në 200 km, ndërsa në distancat mbi 200 km, punonjësit e policisë së shtetit do të marrin pagë kompensim për udhëtimin në masën 30 mijë lek në muaj.

Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë brenda juridiksionit të strukturës së Policisë së Shtetit, në territorin ku ai është i emëruar/transferuar.

Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i policisë paraqet në organin ku emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme dokumentacionin e kërkuar,

Kërkesë me shkrim pranë njësisë shpenzuese ku është i punësuar punonjësi i Policisë;

Fotokopjen e kartës së identitetit;Vërtetimin nga organi publik përgjegjës nëse punonjësi i policisë ka banesë në pronësi ose në proces legalizimi në juridiksionin e strukturës së Policisë së Shtetit, ku emërohet apo transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme.

 

Kur punonjësi i policisë emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme për nevoja pune dhe shërbimi dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën:

  1. a) 50 % të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 (një) vit dhe shtesë në masën 5% të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, për çdo vit mbi 1 (një) vit, por jo më shumë se paga bazë minimale në shkallë vendi;
  2. b) 100 % të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150% të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 (dhjetë) vjet.

Paga mesatare mujore e bashkëshortes/it rritet sipas indeksit të pagës minimale, në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.

Vjetërsia në punë e bashkëshortes/it konsiderohet vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi/eje apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, viteve të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudhave të trajtimit me pagesë papunësie.

Koha e qëndrimit pa punë e bashkëshortit/es së punonjësit të policisë llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës, për efekt pensioni. Kontributet e sigurimeve shoqërore derdhen në emër të bashkëshortit/es përfitues/e nga struktura e Policisë së Shtetit ku është emëruar/transferuar punonjësi i policisë dhe përfituesi sipas skemës së sigurimeve shoqërore për punonjësit civilë. Paga mbi të cilën derdhen kontributet të jetë paga bazë minimale mujore, sipas legjislacionit në fuqi.

Bonusi i qirasë

Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.

Punonjësi  i  policisë  që  emërohet/ transferohet  jashtë  vendbanimit  të  tij  të  përhershëm,  brenda  vendit,  përfiton  kompensim  për  qira  banese,  nëse  emërohet/transferohet  për  shkak  të  detyrës dhe/ose për nevoja pune, në largësi mbi 36 km.

Masa e kompensimit për qira banese për punonjësin e policisë të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, është, si më poshtë vijon:

  1. a) Kur punonjësi i policisë nuk merr me vete në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²;
  2. b) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe një person dhe e merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 56.47 m²;
  3. c) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe dy persona dhe i merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 79.74 m²;

ç)  Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe tre persona a më shumë dhe i merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 80.50 m².

(Balkan Web)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb