Të gjithë ushtarakëve iu ka lindur e drejta e përfitimit të rritjes së pensionit në masën e indeksuar prej 2.8%. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot 8 kategoritë e ushtarakëve që do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë, si dhe mënyrën e saktë si mund ta llogarisin masën e pensionit pas indeksimit. Ky i fundit do të bëhet në bazë të rishikimit të ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji.

“Këshilli i Ministrave vendosi indeksimin, në masën 2.8 për qind, të: pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, ‘Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut’, trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, ‘Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension’”, – thuhet në vendim. Më tej në këtë të fundit bëhet me dije se nga kjo rritje do të preken edhe trajtimet e veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”. Ndërkohë indeksimin e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2018, përfshirë edhe këtë datë. “Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 lekë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1 545 000 000 lekë dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2018”, – nënvizohet më tej në vendim.

Llogaritja
Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë bëhet sipas formulës: PSP = PMRMN x VSH x 1% ku PSP nënkupton pensionin Suplementar të Pleqërisë; PMRMN është Paga Mesatare Referuese Mujore Neto; ndërsa VSH janë vitet e Shërbimit. Por, masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Nëse një ushtarak përfiton pension pleqërie sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar dhe masën 26,000 lekë në muaj, ai ka 28 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 53,700 lekë në muaj. Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë: PSP = 53,700 lekë x 28 vite x 1% = 15,036 lekë / muaj. Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Kështu, ushtaraku përfiton pension pleqërie në masën 26,000 lekë/muaj. Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është sa 50% e pensionit të pleqërisë, pra 13,000 lekë/muaj. Pra, ish-ushtaraku do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 13,000 lekë lekë/muaj.

Përfituesit
Edhe ushtarakët që kanë punuar në një prej institucioneve të përcaktuara me ligj kanë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitim suplementar kanë të drejtë të marrin të gjithë Ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë; punonjësit e Policisë së Shtetit; ata të Gardës së Republikës, punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit si dhe ata të Policisë së Burgjeve. Gjithashtu, nga pensioni suplementar mund të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Sipas ligjit, ka disa lloj përfitimesh që administrohen nga ISSH-ja, e respektivisht bëhet fjalë për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pensionin suplementar të pleqërisë, pensionin suplementar të invaliditetit, si dhe për atë familjar. Kështu, për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, burrat duhet të kenë mbushur moshën 47 vjeç e të kenë jo më pak se 15 vite pune, ndërsa gratë duhet të jenë mbi 42 vjeç e të kenë jo më pak se 12 vite shërbimi. Ndërkohë, mund të përfitojnë pension suplementar pleqërie të gjitha kategoritë e sipërpërmendura dhe pension suplementar invaliditeti po këto kategori që janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në RSH”. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se kur personat e familjes në ngarkim të personave të sipërpërmendur dhe familjet e ushtarakëve që humbasin jetën në krye të detyrës e përfitojnë pension familjar, sipas ligjit kanë gjithashtu të drejtën e marrjes së pensionit suplementar familjar.

Kategoritë përfituese:
Ushtarakët e Forcave të Armatosura në RSH.
Punonjësit e Policisë së Shtetit.
Punonjësit e Gardës së RSH.
Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Punonjësit e Policisë së Burgjeve.
Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.
Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
Punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb