Në Qeverinë e Kosovës është votuar në mënyrë unanime për propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, lidhur me masat e reja kundër COVID-19.

Zemaj në mbledhjen e Qeverisë ka propozuar që nga të gjitha institucionet publike dhe private të vazhdojnë punën me staf të reduktar dhe nga shtëpia, pas shtimit të rasteve me koronavirus.

“Jo vetëm për shkak të urgjencës, por për shkak që MSH-ja në vazhdimësi është duke mbikëqyrur situatën epidemiologjike, duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi pasur një rritje në institucionet publike dhe private, me qëllim të parandalimit IKSHPK-ja na ka rekomanduar që të përkrahim vendimin që të gjitha institucionet publike dhe private detyrohen që të organizojnë punën në distancë fizike apo nga shtëpitë e tyre që nënkupton reduktimin e stafit. Të gjitha institucionet obligohen të shtojnë kontrollet në hyrje të çdo institucioni. Të gjitha institucionet detyrohen të organizojnë punën në përputhje me manualin. Obligohen institucionet që të ndërmarrin vendimet sipas manualit. Ky vendim kërkojë që të hyjë në fuqi në ditën e nënshkrimit”, ka thënë Zemaj.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se ky vendim bëhet i obligueshëm, ndërsa ka kërkuar që të dalin në rrugë inspektorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb