TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar pas vendimit të qeverisë për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Vendimi u mor në mbledhjen e 13 dhjetorit nga qeveria shqiptare në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në kohën e Berishës.

Përmes një reagimi në rrjetin social “facebook”, deputeti demokrat thotë se politika e jashtme e Shqipërisë është me “kokë poshtë”. Ai thotë se ministri i Jashtëm grek teksa ka folur për këtë vendim të qeverisë shqiptare për varrezat e ushtarëve greke, ka edhe një tjetër vendim që mund të merret në favor të Greqisë.

“E dyta në radhë është çështja e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë. Ne fakt, nga sa dëgjova prej ministrit grek të Jashtëm, e dyta mund të jetë diçka më ndryshe nga e para… por përsëri ndryshimi në favor të palës greke”, shkruan deputeti i PD.

REAGIMI I PLOTE
Politika e jonë e jashtë me “kokë poshtë”!
Qeveria nxjerr vendimin për procedimin me ngritjen e “Varrezave të Ushtarëve Greke të Vrarë në Luftën e Dytë” në territorin tonë, duke aplikuar kështu një angazhim të qeverisë së mëparshme Berisha.

Mbasi e bllokoi këtë angazhim racional e të nevojshëm për mbi katër vite radhazi, Rilindja u kthye aty ku ishim. Në fakt ky vendim i ri është edhe më i gjerë në territor se ai i vetë qeverisë Berisha.

E dyta në radhë është çështja e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë. Marrëveshjen e mëparshme, që ishte një marrëveshje normale dhe brenda parimeve të të drejtës ndërkombëtare, Z.Rama spekullivisht e anatemoi si një akt “tradhtie”!

E kam theksuar se dhe marrëveshja e re nqs do të realizohet dhe duhet të realizohet, nuk do të ndryshojë në thelb nga e para.

Në fakt, nga sa dëgjova prej ministrit grek të Jashtëm, e dyta mund të jetë diçka më ndryshe nga e para… por përsëri ndryshimi në favor të palës greke!

Unë i kam konsideruar e i konsideroj thelbësore marrëdhëniet tona me Greqinë, një vend mik e strategjik ky, duke ngritur shqetësimin tim të thellë për aventurizmin politik të Qeverisë sonë, që i shkatërroi ato marrëdhënie, duke i mbajtur në “pikën e ngrirjes” për mbi katër vite.

Kujt i shërbeu kjo gjë e ku do ishim tashmë me këto marrëdhënie, nqs do të vazhdohej me ritmet e konsolidimit të tyre si deri me 2013, nivel ku aspirohet të kthehemi sot.

Në vend që politika e jashtme sot të shikonte përpara e lart, është e detyruar të shikojë nga e kaluara e kokë poshtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb