Kolegji i Posaçëm i Apelimit do duhet të riorganizojë punën pas vendimit të SPAK për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të KPA Luan Daci.

Në deklaratën e KPA thuhet se më 20 maj 2020, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri në dijeni Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur me vendimin nr. 54, datë 20.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas të cilit, është vendosur caktimi i masës së sigurimit ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a funksioni publik”, në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, për gjyqtarin Luan Daci.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit është njoftuar gjithashtu, nga gjyqtari Luan Daci që do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore të ankimit ndaj këtij vendimi.

Në këto kushte, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të organizojë punën për vijimin e gjykimeve dhe caktimin e datave për gjykimin e çështjeve, ku gjyqtar Luan Daci nuk është anëtar i trupës gjykuese.

Ndërsa në çështjet, ku gjyqtar Luan Daci është anëtar i trupës gjykuese, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të presë vendimin e Gjykatës së Posaçme Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb