Klubi i Vllaznisë ka vendosur sot të largojë nga drejtimi trajnerin Tomas Brdariç, duke ndarë rrugët me gjermanin pa u mbushur një ditë nga finalja e humbur ndaj Egnatias. Një vendim i cili nis gjithçka nga e para në klubin shkodran edhe për faktin se nga fjalët e trajnerit, nuk ishte diçka e planifikuar.

Dje pas ndeshjes, Bardariç shprehu mërzinë për humbjen, por nuk ngurroi të theksonte se Vllaznia do ta provonte përsëri në sezonin e ardhshëm, duke përfshirë edhe veten. Në mendjen e trajnerit qartësisht ishte ideja për vazhdimin e bashkëpunimit për ndeshjet e Europës dhe për sezonin e ri ku kërkonte lojtarë që të bënin diferencën.

“Pikë së pari dua të falënderoj të gjithë tifozët për suportin e mrekullueshëm që kanë bërë në stadium. Objektivi ishte t’i kthenim mbrapa gjithë atë mbështetje. Mbas humbjes kundër kampionëve në fuqi, dua t’iu uroj fitoren, respekt maksimal. Dua të falënderoj edhe klubin e Vllaznisë, për atë çka kemi arritur, vendin e dytë. Sot duhej të luftonim më shumë, për të fituar.

Do ta provojmë përsëri. Sot patëm shanse, për 2 dekada nuk marrim titullin, ai ishte objektiv i madh, normal jemi të mërzitur. Ishte një sezon i vështirë, luajtëm, por duhet të reagojmë sa më shpejt.

Duhet që në çdo pozicion, duhen lojtarë që japin rezultat në finale. Na mungoi Deliu në mesfushë. Duhet të jesh sa më i organizuar në mendje. Bëmë shumë gabime. Nuk u futëm mirë në lojë. E dimë që nuk është kjo ajo që deshëm të implementonim”, ishin fjalët e Brdariç për RTSH pas sfidës.

Fjalë që nuk tregojnë një trajner që mendonte largimin, por një që kërkonte të vazhdonte në pankinën e kuqebluve. Ndaj qartësisht, largimi i tij nga Vllaznia nuk ka qenë diçka që ai priste apo planifikonte. Në pak orë, çdo pritshmëri ka ndryshuar dhe gjermani i ka dhënë lamtumirën për herë të dytë shkodranëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb