NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Qeveria ka miratuar kalimin e pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Elbasan, Lezhë e Korçë. Vendimi është marrë duke përllogaritur sipërfaqet takuese në bazë të ndërtimit që ndodhet mbi truallin, për të cilin pronarët do të marrin tapitë. Lista me sipërfaqet e ndryshuara për çdo pronar publikohet nga Gazeta. Pronat e prekura janë 156, por pronarët janë mbi 300 persona.

Sipas ligjit në fuqi, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit, dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m².

Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Këshilli i Ministrave miraton listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: