Vendimi i Gjykatës Supreme në SHBA për abortin ka shkaktuar debat dhe jashtë kufijve të këtij shteti, tek ata që e mbrojnë abortin si një e drejtë kushtetuese dhe tek ata që janë kundër abortit, duke e cilësuar vrasje.

Anuela Ristani, nën kryetare e bashkisë Tiranë, tha sot në “Open” në News24 se ky vendim cenon jetën e grave në vështirësi sociale dhe mijëra jetë janë sot në rrezik.

“Shyqyr që jemi një shoqëri e qytetëruar dhe vendimet nuk i marrim nga opinionet. Vendimi i gjykatës supreme në SHBA në fakt ka qenë gabim që në 1973 sepse mbrojtja për të drejtën e abortit ishte e bazuar në të drejtën e pavarësisë.
Për sa kohë që opinioni i ‘73 ishte i bazuar te privatësia dhe jo liria e individit në përpjekjet e ndryshme ka pasur gjithmonë cenim të këtij vendimi. Që ky është një vendim i gabuar kjo nuk është më çështje opinioni, por faktesh. Faktet kanë treguar që ky vendim cenon jetën e grave të një shtrese më të ulët. Bëhet fjalë për qindra raste të grave që gjenden në vështirësi sociale.
Në kushtet që shumë shtete në Amerikë kanë vendosur për klinikat e abortit, i kanë dhënë të drejtën për ta ndaluar. Nëse një grua në Texas do të abortojë do udhëtojë në shtetin më të afërt për ta bërë dhe gra me të ardhura në gjendje më të dobët sociale nuk mund ta bëjnë.
Në vitin kur aborti u bë i ligjshëm ka pasur 23 mijë aborte në Shqipëri. Këto kanë ekzistuar, por nuk kanë qenë në kushte spitalore, kushte higjienike. Ky është fakt i së vërtetës që abort do të ketë prapë, gra në vështirësi do të ketë prapë. Këto janë fakte nuk janë mendime, si e mendoj unë kur fetusi quhet fëmijë. Jetë të tëra njerëzish, femrash janë sot në rrezik, mijëra janë në rrezik”, deklaroi Ristani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb