TIRANE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, i cili vrau 4 police dhe u dënua me 25 vite burg si rezultat i gjykimit të shkurtuar.

Meta tha se mbështet thirrjen e ambasadorit të BE në Tiranë dhe se KLGJ dhe prokuroria duhet te vihen në lëvizje për të verifikuar dhe hetuar çështjen.

“Mbështes reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca. KLGJ dhe prokuroria të vihen në lëvizje për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë”- tha Meta.

Kujtojme se përmes një postimi në Twitter, ambasadori i BE, Soreca u shpreh se ky vendim duhet vlerësuar nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjitshëm.

Prononcimi i Presidentit për mediat:

Zoti President a keni një koment për vendimin e Gjykatës së Apelit që e zhbënë vendimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe e dënon atë me 25 vite burg?
Presidenti Meta: Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, zoti Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë.

Gazetari: Mazhoranca ka rrëzuar dy kandidaturat e Presidentit të Republikës për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është përfolur se Anastas Angjeli mund të jetë në këtë post. A do të jetë ai kandidatura e tretë e Juaja?
Presidenti Meta: Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit të Republikës synojnë forcimin e institucioneve të pavarura, dhe gjithmonë këtë gjë do të synojnë. Synojnë forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe jo të sundimit të shumicave.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb