TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda ka zhvilluar sot seancën e radhës për “xhihadistët”, të cilët akuzohet se kanë rekrutuar njerëz për t’i çuar në Siri, por sërish nuk ka patur një vendim, për shkak të mungesës së njërit prej të pandehurve. Seanca u zhvillua në masa të forta sigurie, ndërkohë u ushtruan kontrolle të vazhduara, si dhe u monitorua situata me qen anti-eksploziv.

Forca të shumta policie u angazhuan në ambientet e Gjykatës, ndërsa në ambientet e jashtme kishte edhe mbështetës të të akuzuarve.

Prokuroria ka kërkuar 152 vite burg për të arrestuarit.

I akuzuari Gerti Pashja ka folur në seancë duke u shprehur se kjo është një luftë e hapur ndaj fesë islame, ndërsa shtoi se ndaj tij është bërë presion për të pranuar KMSH si institucion.

“Më kanë bërë presion që të njoh KMSH si institucion. Kjo është një luftë e hapur ndaj fesë islame. Nuk dua të përfaqësohem nga avokati që më keni caktuar. Rama të mos lavdërohet se po lufton terrorizmin. Për kë terrorizëm flet Rama, bombat që vihen në Tiranë? Për kë terrorizëm flet Rama apo për vrasësit me pagesë? Na dënoni për t’i bërë qejfin Amerikës, që nuk iu jep viza. Amerika nuk duhet të ndërhyjë në çështjen tonë”, tha Pashja.

Ndërkaq, Pashja ka kërkuar që të rihapet procesi dhe të sillen prova të reja.

“Kërkoj prova të reja dhe të rihapet procesi. Të merret dëshmitar në gjyq Artur Balla. Nuk jemi në komunizëm, po manipuloni procesin”, tha Pashja.

I pandehuri Gerti Pashja tha në seancë se pretendimet e prokurores janë keqdashëse,  pasi ajo kërkon të bëjë karrierë.
“Pse jam një person i rrezikshëm? Kam lidhje me 21 Janarin, me Gërdecin, kam vjedhur Bankën e Shqipërisë, kam komanduar bomba?”- iu drejtua Pashja prokurores së çështjes.

I akuzuari për rekrutime Zeqir Imeri tha se “S’dua të mbrohem nga avokati, s’i njoh ligjet tuaja”.
Fadil Muslimani tha se “Prokurorja ka manipuluar e mashtruar. Jam i pafajshëm”.

“Po i bëni gropën vetes, ne do dalim fitimtarë”, tha Bujar Hysa.

Avokati i Orion Reçit thotë se klienti i tij mungoi për arsye shëndetësore.

“I kërkova trupit gjykues të shtynte seancën për të komunikuar me klientin tim. Bëra kërkesë për praninë e Orion Reçit, por seanca vazhdoi. Nëse seanca vazhdonte pa Reçin, atëherë unë rrezikoja të prishja marrëdhënien e përfaqësimit me klientin tim, pasi ai do të jetë i pranishëm vetë. Ne kemi kërkuar që Reçi të bëjë një deklaratë që e çmon të nevojshme për të bërë mbrojtjen e tij në gjykim. Ai nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi, dhe kërkon ta shprehë atë para gjykatës. Këtë deklaratë ai do ta bëjë seancën tjetër, nëse do të ketë një të tillë”, tha avokati i Reçit, Roland Islami.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: