TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dalë sot para mediave për të informuar për vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë. Një prej këtyre vendimeve kishte të bënte me personat e arrestuar për terrorizëm.

Rama tha se nga momenti i arrestimit dhe gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit ata nuk do të kenë asnjë komunikim me botën jashtë dhe çdo lloj takimi do jetë i mbikëqyrur rreptësisht.

“Kemi vendosur të marrim një veprim ligjor për personat e përfshirë në organizata terroriste që do t’i nënshtrohen një vëzhgimi të rreptë monitorimi duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi me botën e jashtme gjatë kohës dhe paraburgimit dhe më pas. Këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për gjithë kohën e vuajtjes së dënimit”, deklaroi kryeministri.

Non stop me kamera/ Rama: Monitorim burgjeve të sigurisë së lartë
Një sistem i panjohur më parë monitorimi i burgjeve. Këtë gjë e ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama sot para mediave ku ka informuar për vendimet e qeverisë. Shefi i ekzekutivit tha se është vendosur ngritja e një sallë monitorimi 24 orë me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë.
“Kemi vendosur ngritjen e një salle monitorimi ‘non stop’ me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë dhe godina e operacionit ‘Forca e Ligjit’.
Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të panjohur më parë”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb