Qeveria ka marrë vendimin që dita e sotme të shpallet ditë zie kombëtare, pas vdekjes së deputetit dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ku përmes një postimi në ‘Facebook’ ka publikuar vendimin, duke e shoqëruar me emoji, një zemër të zezë.

  • foto galeri

Fino humbi jetën ditën e sotme në moshën 58-vjeçare, pasi prej ditësh luftoi me koronavirusin, dhe fatkeqësisht nuk mundi t’ia dilte.

Më herët kryeministri Edi Rama njoftoi se sot do të anuloheshin të gjitha aktivitetet në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Fino ishte pjesë e listave të kandidatëve për deputetë në qarkun e Fierit, ku renditej i katërti.

Në selinë e Partisë Socialiste dhe në institucionet shtetërore flamujt janë ulur në gjysmë shtizë, ndërkohë që në Pallatin e Kongreseve do të mbahen homazhe në nder të deputetit Bashkim Fino. Ai do të përcillet për në banesën e fundit në orën 16:00, në varrezat e Sharrës.

“Në zbatim të VKM të marrë sot paradite, pas ndarjes nga jeta të ish kryeministrit dhe deputetit Bashkim Fino, flamuri shqiptar në të gjitha përfaqësitë shqiptare në botë, ulet në gjysmë shtizë.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

KUSH ISHTE BASHKIM FINO
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.

Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb