Kukësi ka befasuar kampionët në sfidën që u luajt në “Elbasan Arena” duke triumfuar në ndeshjen çelëse të sezonit të ri. Nënkampionët kanë thyer kampionët falë golit të Vasil Shkurajt nga pika e bardhë, ndërsa ndeshja ka qenë e luftuar, me dy kartonë të kuq dhe një lumë kartonësh të verdhë për të dyja ekipet.

Sfida u vulos që në pjesën e parë. Ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro, që kaloi në epërsi falë golit të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë nga ana e Vasil Shkurtajt, penallti që u fitua nga Valon Ethemi pas ndërhyrjes së gabuar të Boldor në minutën e 38-të. Duhet theksuar se Kukësi ka qenë skuadra më e mirë në këtë pjesë loje, duke kontrolluar rivalin dhe duke u shfaqur rrezikshëm para portës së Hoxhës dhe në dy momente të tjera, ndërsa Partizani nuk ka bërë ende asnjë gjuajtje në portën e Avdylit.

Në pjesën e dytë Partizani përpiqet të bëjë diçka ndryshe dhe luan më mirë sesa në pjesën e parë, por golit do t’i afrohet seriozisht vetëm në minutën e 69-të, ku Mala ndalet nga shtylla e Avdylit. Kukësi vonon lojën me çdo formë të mundshme duke luajtur me nervat e Partizanit, nerva që shpërthejnë te Solomon dhe më pas te Lulaj, që largohen të dy me karton të kuq. Asgjë tjetër për t’u regjistruar, Lerda e nis me humbje kampionatin, Duro me fitore, teksa i dha dhe një leksion italianit, duke arritur të dominojë një pjesë loje dhe duke administruar pjesën tjetër, ndonëse stolin e kishte më të varfër se Lerda, që pati luksin të lërë në tribunë dhe Jasir Asanin.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb