TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar deklaratën e ndërkombëtarëve se ‘ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese’ si një pushkatim e më pas gjykim.

‘E di si thua, ta pushkatojmë njëherë këtë pastaj të shkojmë në gjykatë. Kështu thonë ata..”, deklaroi Berisha.

Sa i përket zëvendësimit të kryebashkiakëve të djathtë, ai tha se janë përgjigje që mund t’i japin udhëheqësit e opozitës dhe jo Sali Berisha. Lidhur me propozimin e Metës për mbajtje dhe të zgjedhjeve presidenciale në tetor, Berisha tha se si ish-president nuk ndërhyn.

“Mos pyesni një ish-president si duhet të zgjidhet Presidenti. Nuk ndërhyj fare në çështjen e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.
Duke iu rikthyer idesë që Kushtetuesja pas riformimit të vendosë për zgjedhjet, Berisha deklaroi se shqiptarët nuk e hanë sapunin për djath.
“Shqiptarët kanë shumë të meta dhe kanë defekte por absolutisht kurrë sapunin për djathë nuk e hanë. Se kanë ngrënë atë kohë kur s’ka pasur as 10 vetë që dinin shkrim e këndim, kanë pasur eksperiencën e natyrës. Por t’u thuash se të gjykojë Kushtetuesja pasi është varrosur i dënuari, propozim qesharak”, tha Berisha.

Lidhur me vendimin e opozitës për t’u tërhequr nga protestat më 30 qershor, Berisha tha se bëri shumë mirë. Ai foli për kryengritje popullore në 51 format e mosbindjes civile.
“Opozita bëri shumë mirë që u tërhoq më 30 qershor. Opozita bëri një tërheqje, është e vërtetë por bëri shumë mirë. Opozita bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për të denoncuar farsën elektorale. Nuk mund të shtynte më shumë se thirrja për të bojkotuar. Liria ime përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Kryengritja popullore në 51 format e mosbindjes civile”, theksoi Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb