TIRANE

Tirana ka nderuar sot Shën Gjon Palin e II, në kuadër të 25 vjetorit të vizitës së tij në Shqipëri dhe në 40 vjetorin e zgjedhjes si Papa i parë jo italian. Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ambasadorit të Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura e shumë besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, u përurua busti i Papa Gjon Palit të II-të, i cili u vendos në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fjalës së tij ai theksoi se busti i Papa Vojtilës ia shton edhe më shumë vlerat Tiranës.

“Sot Shqipëria, me në krye Tiranën, është mishërimi i këtij vizioni të emancipuar të Papës. Liria fetare, por edhe harmonia fetare, janë shembull i virtytit të mirë tek ne shqiptarët. Në Tiranë, në një kilometër katror mund të gjejmë Katedralen Katolike, mbrapa Galerisë së Arteve, Katedralen Ortodokse, përballë Shtëpisë së Gjetheve, një tjetër kujtesë e atij regjimi të vështirë dhe të rëndë sidomos për ata që ishin besimtarë, përballë Pidamidës kemi bustin e Papa Franceskut, kurse këtu përurojmë bustin e Papa Gjon Palit II, e pak metra më tej po ndërtohet xhamia e madhe. Nuk ka një kryeqytet tjetër në botë që në një kilometër katror të jetë i përfaqësuar me të gjitha ngjyrat e besimeve fetare”, tha Veliaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb