Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, sqaroi arsyet pse mazhoranca nuk pret opinionin e Venecias për ndryshimet Kushtetuese.

Në një dalje për media, Balla tha se vetë Venecia e ka të përcaktuar e zezë mbi të bardhë që i takon parlamenteve të secilit vend të përcaktojë rregullat.

Mes të tjerash, numri dy i PS tha se Presidenti Ilir Meta duhet ta marrë vesh që ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi që prej 20 gushtit.

“Vetë Venecia ka përcaktuar e zezë mbi të bardhë që i takon parlamenteve të vendeve anëtare të përcaktojnë rregullat. Mund t’i drejtoheni website të Venecias, ku do të gjeni një sërë konsolidimesh për këtë. Kuvendi i Shqipërisë ka respektuar tërësisht Kushtetutën dhe të gjitha aktet e tjera rregullatorë. Kemi të bëjmë me një legjislacion demokratik dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Ndryshimet në kodin zgjedhor kanë sot dakordësinë më të madhe të kërkuar nga Kushtetuta. Edhe brenda opozitës parlamentare, shumica e tyre kanë votuar në favor. Ndoshta Presidenti nuk e ka marrë vesh akoma që Kushtetuta ka hyrë në fuqi prej 20 gushtit”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb