TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh sot se Komisioni i Venecias tregoi se Kuvendi është legjitim dhe vendimet e marra nga ky institucion sa i takon ndryshimeve në kodin zgjedhor, janë legjitime.

Sa i takon koalicioneve, Balla tha se opozita mund të bëjë koalicion, por duke respektuar tre normat e vendosura.

“Sot është miratuar opinioni final i Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ato kodit zgjedhor ku theksohet se ndryshimet e mësipërme janë në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore.

Komisioni kritikon veprimet e djegjes së mandatave nga opozita jashtëparlamentare si akt kundër trashëgimisë elektorale europiane dhe shprehet se opozita nuk mund të jetë sot në rolin e kritikuesit, kur ajo vetë e la rrugës procesin institucional.

Komisioni Venecias vlerëson se Kuvendi është dhe mbetet legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimarrje.

Lidhur me koalicionet brenda ndryshimeve ligjore, opinioni Venecias i vlerëson gjithashtu në përputhje me standardet më të mira të zgjedhjeve.

Duhet të jemi të qartë se Komisioni i Venecias nuk analizon procedurën parlamentare.

Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson nevojën që gjithë palët të kontribuojnë për organizimin e zgjedhjeve në 25 prill 2021 dhe rekomandon disa ndryshime të tjera ligjore pas zgjedhjeve të 2021.

Për parlamentin shqiptar dhe për grupin parlamentar të PS në veçanti, sot e rëndësishme është që sipas traditës sonë të bashkëpunimit, si Kuvend i Shqipërisë, të respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias.”- u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb