Në emisionin Open në News24 është diskutuar mbi mandatin e Olta Xhaçkës, ndërsa Komisioni i Venecias dha opinionin e tij lidhur me këtë çështjes. Në opinionin e Venecias thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme. Por palët politike kanë bërë interpretime të ndryshme lidhur me çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj tha se Komisioni i Venecias, në rolin e këshilluesit, nuk ka dhënë asgjë më tepër se sa ka edukuar deputetët e Shqipërisë, për të qenë korrekt me interpretimin e dispozitave kushtetuese.

Hazizaj tha se që nga 1998 nuk ka pasur asnjëherë dyshime mbi të drejtën e 1/10 të deputetëve të Kuvendit që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. “Kjo do të thotë se inisiativa e 1/10 të anëtarëve të Kuvendit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta ndalojë asnjë komision kuvendor”, tha Hazizaj.

Ai tha se Komisioni i Venecias ka rol këshillues. “Kemi kokëfortësinë e një mazhorance që mund ta kishte zgjidhur shumë thjeshtë, duke i dhënë hapësira çdo minorance të Kuvendit për t’iu drejtuar Kushtetueses. Nuk mendoj se Venecia ka derivuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Hazizaj.

Ai theksoi se Venecia herë pas here përsërit fuqinë që ka Gjykata Kushtetuese në raport me Kuvendin.  Konstitucionalisti theksoi se pas opinionit këshillimor të Venecias, asnjë komision kuvendor nuk mund të ndalë nismat e parlamentarëve, 1/10 të anëtarëve të Kuvendit, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Pra sipas Hazizajt, ka ndarë politikën me të drejtën e 1/10 të anëtarëve të Kuvendit.

“Duhen ndarë zgjidhjet që do të jepte Gjykata Kushtetuese me të drejtën e 1/10 të anëtarëve të Kuvendit që të çojnë çështjen në Kushtetuese. Pra Kuvendi sot nuk ka se çfarë të bëjë tjetër përveç se të përcjellë çështjen në Kushtetuese”, tha Hazizaj. Ai tha se nuk kemi të bëjmë me sovranitetin e Kuvendit, por me të drejtën e 1/10 të anëtarëve të Parlamentit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. “Kuvendi e ka detyrim Kushtetues”, tha Hazizaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb