Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Venezuelë (TSJ) ka nisur hetime penale kundër katër ligjvënësve opozitarë, duke i akuzuar ato për tradhti dhe nxitje të rebelimit civil.

Masa vjen pasi Asambleja Kushtetuese Kombëtare, e udhëhequr nga presidenti Nicolas Maduro, dje hoqi imunitetin e ligjvënësve Jorge Millan, Hernan Aleman, Carlos Lozano dhe Luis Stefanell për t’i hapur rrugë procedurave gjyqësore.

Në një deklaratë, TSJ tha se çështjet u hapën me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, Tarek William Saab, i cili akuzon ligjvënësit për komplot për të konfiskuar instalimet ushtarake në shtetin verilindor Sucre.

Sipas deklaratës, ligjvënësit opozitarë do të përballen me akuza për “tradhti, komplot, nxitje të rebelimit, rebelim civil, krim të organizuar, uzurpim të funksioneve, nxitje publike për mosbindje ndaj ligjeve dhe urrejtje të vazhdueshme”.

Kreu i Asamblesë Kombëtare të drejtuar nga opozita, Juan Guaido e mohoi këtë veprim si një tjetër “përpjekje të diktaturës” për të marrë përsipër të vetmin institucion që nuk është nën kontrollin e presidentit Maduro.

Që nga fillimi i vitit, Venezuela është përballur me trazira politike pasi Maduro dhe Guaido u përfshinë në një betejë pushteti, ndërsa ekonomia e vendit ka shënuar rënie të mëdha pas rënies globale të çmimit të naftës së papërpunuar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb